Policia aksion në 4 qytete në kërkim të ekzekutorit të Edmond Papës

0

Operacioni për arrestimin e atentatorit të biznesmenit nga Kurjani i Fierit ka dështuar për të disatën herë, ndërkohë që Policia ka kryer kontrolle në disa vende.

Bëhet fjalë në Tiranë, në dy zonat ku pretendohet se banonte dhe frekuentonte Ervin Bode, në Berat dhe po ashtu edhe në zonën e Tepelenës dhe të Sarandës, zona në të cilat i dyshuari si ekzekutor dhe organizatori i arrestuar nga Policia kanë miq dhe të njohur.

Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se në gjurmët e Bodes është rënë vetëm në fundin e vitit, kohë kur ai ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë të re.

Sipas informacioneve, Bode ka realizuar një aplikim të shpejtë të mjetit të identifikimit dhe e ka marrë në harkun kohor të 24 orëve në vendlindjen e tij, në Berat. Më pas, Policia nuk ka mundur të gjejë më asnjë gjurmë të tijën.

Pas arrestimit të djalit të efektivit të Policisë, i cili është vënë nën akuzën e organizatorit të vrasjes së Edmond Papës, bëhet me dije se Bode ka qenë nën kërkim të vazhdueshëm nga ana e Policisë, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Burimet saktësojnë se biznesmeni nga Berati që ushtronte aktivitet në Korçë ishte banues në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, por ai nuk është gjendur në banesën në të cilën Policia ka ushtruar kontrolle të herëpashershme.

Kërkimet dhe verifikimet Pas disa operacionesh kërkimi në disa ambiente, banesa dhe biznese, Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të Andre Bode, autorit të dyshuar të vrasjes së Edmond Papës. Por, pavarësisht se ai ndodhet në arrati Prokuroria e Tiranës ka gati kërkesën për caktimin e masës, arrest në burg për 44-vjeçarin.

Ekzekutimi i biznesmenit Edmond Papa, më 16 dhjetor 2022 në Tiranë, ka tashmë të njohur qitësin që ishte Andre (Ervin) Bode, dhe vëzhguesin që ishte Alban Velo, por ende nuk ka porositës. Hetimet e agjencive ligjzbatuese mësohet se janë fokusuar pikërisht në këtë pikë, për të zbardhur dhe dokumentuar të plotë, krimin që dyshohet se lidhet me prishje të pazareve të drogës.

Burime thonë se paralelisht, po punohet për të lokalizuar dhe vënë në pranga 44- vjeçarin të faktuar me prova filmike se ekzekutoi me 7 plumba biznesmenin, në një lokal në zonën e Selitës. Andre (Ervin) Bode, sipas të dhënave të sistemit TIMS rezulton se po fshihet në Shqipëri, pasi zyrtarisht nuk është regjistruar në asnjë pikë kufitare.

Pas banesës së tij në Tiranë, kontroll është kryer edhe në qytetin e Beratit ku nga verifikimi i kryer ka rezultuar se familja e Bodes ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, nuk përjashtohet mundësia, që 44-vjeçari ta ketë kaluar kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërsa ai mbetet i lirë, Prokuroria e Tiranës do të kërkojë në Gjykatë masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë dhe më pas automatikisht Andre (Ervin) Bode, shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Përmes Interpolit, emri dhe fotoja e tij proceduralisht u dërgohet agjencive dhe partnerëve, të cilëve do t’u kërkohet arrestimi për akuzën e vrasjes.

Paralelisht me punën për arrestimin e ekzekutorit të Edmond Papës, mësohet se Prokuroria po tenton të bindë 30-vjeçarin Albano Velo, djali i një efektivi policie, që të bashkëpunojë me qëllimin, zbulimin e porositësit të vrasjes së biznesmenit nga Saranda, me të shkuar kriminale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu