Policia e Elbasanit merr në mbrojtje ‘fantazmën’ e shumëkërkuar Talo Çela

0

Policia e Elbasanit ka futur në ngërç procesin gjyqësor ndaj të shumëkërkuarit Talo Çela. Prej më shumë se një muaj Gjykata e Posaçme i ka kërkuar bluve të Elbasanit, që në banesën e 51-vjeçarit, të ngjisë njoftimin se ndaj tij ka nisur një proces gjyqësorë, por ky veprim procedurial nuk është kryer ende nga policia.

Pikërisht mosnjoftimi dhe kryerja e këtij veprimi nga ana e autoriteve ligjësbatuese ka bërë që procesi gjyqësor në mungesë ndaj Çelës të mos nisë, duke shtyrë 7 seanca njëra pas tjetrës. Policia e Elbasanit ka vënë në dijeni gjykatën me një shkresë, që fleta e njoftimit nuk është ngjitur ende në banesën e personit që është kthyer në “fantazmën”, e autoriteteve.

Fleta e njoftimit, është veprimi i fundit njoftues,  që do zhbllokonte procesin dhe do niste gjykimin në mungesë nga togat e zeza të GJKKO-së, përsa i përket dosjes së grabitjes së Rinasit, ku u vodhën gati 5.5 mln euro. Pas vënies në dijeni të gjykatës për moszbatimin e urdhrit të saj, policia e Elbasanit nuk ka dërguar asnjë shkresë tjetër në gjykatë, duke mos e shpjeguar as arsyen e moskryerjen e kësaj procedure.

Tashmë pritet vetëm afishimi i njoftimit në banesën e Talo Çelës, dhe ai do të përballet me drejtësinë për një nga akuzat e shumta të ngritura nga ana e institucionit të akuzës, siç është grabitja e Rinasit.

I shumëkërkuari për këtë dosje, do gjykohet veçmas anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve, pasi me ndryshimet e reja ligjore, çështja e një të dyshuari për vepër penale pezullohet për 1 vit, dhe nëse ai nuk arrestohet brenda këtij harku kohor, atëherë kryehen procedurat për nisjen e procesit në mungesë.

Kujtojmë se ndaj Talo Çelës, për shkak se ndodhet në arrati, është pezulluar edhe procesi për dy vrasjet e dyfishta Durrës, ngjarje të ndodhura në mars e prill të vitit 2020. Ai dyshohet se është personi që urdhëroi këto vrasje, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme parash, të grabitura në Rinas.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu