Policia e Elbasanit procedon penalisht disa shtetas për narkotikë dhe dhunë në familje

0

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka referuar në Prokurori disa raste të veçanta gjatë ditës, që lidhen me posedim të lëndëve narkotike dhe dhunë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë referuar materialet për fillimin e procedimit penal ndaj shtetasve K. Sh. (31 vjeç), E. T. (31 vjeç) dhe A. B. (26 vjeçe), pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga K. Sh., u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, nën hetim janë vënë edhe shtetasit M. Sh. (29 vjeç) dhe S. T. (26 vjeç), të cilët u kapën duke poseduar sasi të vogla të së njëjtës lëndë.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë proceduar penalisht shtetasin A. C. (58 vjeç), pasi dyshohet se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes ndaj një 57-vjeçareje, duke e kërcënuar dhe fyer atë.

Po ashtu, nga Komisariati i Policisë Librazhd është proceduar shtetasi D. P. (41 vjeç), pasi dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin L. P. (56 vjeç), për motive të dobëta.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.