Policia e Elbasanit referon tre raste penale për ndërtime pa leje, dhunë psikologjike dhe dëmtim prone

0

Elbasan, 13 Nëntor 2025

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë referuar në Prokurori tre raste të veçanta për vepra penale të ndryshme, të konstatuara në juridiksionin e komisariateve Cërrik, Librazhd dhe Elbasan.

Në Cërrik, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet për shtetasin B. K., 46 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi pa leje. Ndërkohë, në Librazhd, ka nisur procedimi penal ndaj M. X., 57 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait të tij; viktima është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Ndërkaq, më 12 nëntor 2025, shtetasi T. K. ka kallëzuar se ka gjetur të thyer xhamin e vetratës së lokalit të tij në fshatin Bradashesh. Shërbimet e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po zhvillojnë hetime për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.