Policia kap dy të rinjtë në Elbasan, sekuestrohet drogë dhe mbi 50 mijë euro!

0

Policia e Elbasanit ka prangosur dy të rinj të dyshuar për shpërndarje lëndësh narkotike, në kuadër të dy operacioneve të ndryshme të zhvilluara brenda disa orëve.

Gjatë kontrolleve, një prej tyre u kap me një shumë të konsiderueshme parash, mbi 51 mijë euro, të cilat u sekuestruan si provë materiale dhe do të kërkohet justifikimi ligjor i origjinës së tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë referuar në Prokurori rastin e D. X., 22 vjeç, i cili u kap me një sasi të vogël lënde të dyshuar kanabis. Ndaj tij është nisur procedimi penal.

Ndërkohë, edhe R. Sh., 27 vjeç, është marrë nën hetim për të njëjtën vepër penale, ndërsa pas kontrollit në banesën e tij u gjetën 51,830 euro, që u sekuestruan nga autoritetet në cilësinë e provës materiale.