Politika drejt karàntinimit/ Edhe dy deputetë me koronavirus. Kush janë 7 politikanët e infektuar

0

Koronavirusi ka infektuar edhe dy ligjvënës të tjerë në Kosovë. Lajmi është bërë i dituar nga vetë ata. Njëri prej tyre është deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në postimin e tij deputeti ka shkruar se pavarësisht se është përpjekur që të tregohet i kujdesshëm, ka rezultuar pozitiv për virusin. Tahiri se është mirë dhe se përveç simptomave të zakonshme, nuk ka ndonjë vështirësi të theksuar në përballimin e virusit.

“Të dashur qytetarë, Përkundër faktit se jam përpjekur të jem i kujdesshëm, duke mos anashkaluar rekomandimet, dua t’ju njoftoj se pas testimit për COVID-19, kam rezultuar pozitiv. Aktualisht, jam mirë dhe përveç simptomave të zakonshme, nuk kam ndonjë vështirësi të theksuar në përballimin e virusit. Gjatë kësaj periudhe të vetë-izolimit, do t’u përmbahem rekomandimeve të OBSH-së dhe mjekëve tanë. Ju ftoj edhe juve t’u përmbaheni rekomandimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe njerëzve të afërt në këtë periudhë aspak të lehtë në të cilën po kalojmë si vend”, shkruan deputeti.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, e cila gjithashtu mban postin e kryetares të Komisionit për Shëndetësi, është infektuar me koronavirus. Lajmin e bën me dije vetë deputetja e AAK-së, e cila thotë se po qëndron e izoluar në shtëpi, pas kryerjes së testit.

Dyshohet Reshitaj është infektuar në parlamentin e Kosovës, pasi siç thotë ajo, simptomat e para iu shfaqën fill pas seancës të së premtes. Një tjetër deputete e parlamentit të Kosovës, Eliza Hoxha është gjithashtu me Covi-19.

“Të nderuar qytetarë, miq e kolegë, Që nga fillimi i Pandemisë jam përpjekur të zbatoj masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore dhe vazhdimisht kam bërë ftesë për zbatimin e tyre. Pas seancës së ditës së Premte, konkretisht prej të Shtunës së këtij vikendi kanë filluar të më shfaqen disa simptoma që lidhen me infeksionin me Covid-19 dhe pastaj iu kam nënshtruar testit ku kam rezultuar pozitiv. Deri në testimin tjetër pas një kohe të përcaktuar sipas protokollit unë do të qëndroj e izoluar në shtēpi.

Dua edhe një herë ti bëjë ftesë të gjitha institucioneve të vendit që të rrisin përkushtimin në respektimin e masave mbrojtëse, të ndalohen të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet aty ku nuk ka kushte dhe ku nuk respektohen masat e rekomanduara nga IKSHPK. Të rritet përkushtimi dhe disiplina sa nuk është bërë tepër vonë”, shkruan Reshitaj.

Ditët e kaluara deputeti i AAK-së në Kosovë, Rasim Selmanaj, ka bërë me dije se ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se ka shfaqur simptoma të lehta që para 5 ditësh.

“Dje nga një kolege deputete pasi kishte pyetur për rezultatin tim, dikush nga laboratori i kishte thënë se jam negativ. Por si duket informata ka qen për testin e dy korrikut! Para pak çasteve më thirren nga Instituti dhe me njoftuan se kam rezultuar pozitiv! Tash e pesë ditë jam me simptome të lehta. Vazhdoj të ndjehem mirë”, shkruan ai.

Gjithashtu deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka treguar se është i prekur me Covid-19. “Meqënëse interesimi i miqëve e gazetarëve është i madh për të konfirmuar lajmin nëse jam Covid pozitv. Lajmi është i vërtetë. Më është konfirmuar që analiza ime ka dalur Covid pozitiv. Gjendja ime është e mirë dhe jam vetëizoluar sipas rekomandimeve”, ka shkruar Avdyli në rrjetin social Facebook.

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri është politikani tjetër i infektuar i cili njoftoi në profilin e tij në Facebook se ai, gruaja e tij dhe vajza tremuajshe janë pozitiv në KOVID-19. Zekiri shkruan se vetë ai nuk ka as edhe një simptom të infeksionit por që pasi ka rezultuar pozitiv në koronatestin që i është bërë sëfundmi, është izoluar së bashku me familjen.

Ai madje u ka kërkuar falje të gjithë njerëzve me të cilët ka qenë në kontakt së fundmi, për atë që siç thotë ai, i ka vendosur në pozitë të palakmueshme. Në vazhdim keni shkrimin e plotë të nënkryetarit, njëherazi edhe deputetit të LSDM-së, Muhamed Zekiri.

“Miq të dashur, edhe krahas respektimit të rreptë të masave dhe kontakteve minimale me njerëzit, dëshiroj t’ju informoj se unë së bashku me gruan dhe vajzën time tremuajshe kemi dalë pozitiv në testin për KOVID 19. Për fat të mirë, nuk kam asnjë simptomë, por kam dalë pozitiv në test. Nëse vëreni simptomën më të vogël tek ju ose të dashurit tuaj, këshillohuni me mjekët e familjes dhe mos refuzoni të testoheni. Më vjen keq dhe kërkoj falje nëse pa dijeni e kam vendosur dikë në pozitë të palakmueshme ditët e fundit”, komunikoi Zekiri në profilin e tij në Facebook.

Këngëtarja Eliza Hoxha, e cila është aktualisht edhe Deputete e PDK-së, rezultoi pozitive me koronavirus tre ditë më parë. Lajmin e bëri publik vetë Eliza, nëpërmjet një statusi në profilin e saj personal në rrjetet sociale.

“Të dashtun miq, pas testit negativ të javës së kaluar sot e kam ripërsëritur testin dhe kam dal pozitiv… Kjo për faktin që tre ditët e fundit kam pasur disa nga simptomat që e shquajnë këtë virus si: Plogështi, Ethe, Temperaturë, Koll. Po ashtu kam vërejtur aritmi të theksuar këto ditë… Çfarë mund të ju them unë e që nuk e keni dëgju deri tani…Asgjë më shumë përtej se të kujdeseni për veten e të tjerët. Maska, higjiena e theksuar, distanca tashmë janë domosdoshmëri dhe mënyrë jetese. Virusi ekziston. Do të jetë gjatë me ne, prandaj duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të. Për ata që i kam pas afër këto ditë uroj të mos sëmuren, e nëse po ta kalojnë me lehtësi. Sh’net!”, shkruajti ajo.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka rezultuar pozitiv me COVID-19.Këtë e ka bërë të ditur vet ai në një postim në Facebook.

“Sot, pas analizave te kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal!”, ka shkruar ai.

Ditëve të fundit edhe disa deputetë dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Pak ditë më parë Mustafa pati dhe një takim me kryeministrin Edi Rama, teksa e priti në shtëpinë e tij, po nuk dihet ende nëse edhe numri i qeverisë e ka marrë virusin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu