Prej orësh pa ndërhyrje, banorët përpiqen të shpëtojnë kamionin e mbetur pezull në aksin Gramsh–Kukur

0

Pas bllokimit të aksit Gramsh–Kukur si pasojë e reshjeve intensive dhe rrëshqitjeve të dherave, situata në zonë vijon të mbetet problematike. Prej më shumë se 6 orësh, një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore, i cili furnizonte dyqanet e njësisë administrative Kukur, vazhdon të qëndrojë i bllokuar në vendin e quajtur “Përroi i Pishave”, duke rrezikuar të rrëshqasë në humnerë.

Ndërsa mjeti ka mbetur pezull në buzë të rrugës së dëmtuar, janë vetë banorët e zonës ata që po përpiqen të ndërhyjnë për të shmangur një incident më të rëndë. Me mjete rrethanore dhe automjete të terrenit, ata kanë nisur përpjekjet për të stabilizuar kamionin dhe për ta nxjerrë nga zona e rrezikut.

Banorët shprehen se, pavarësisht situatës së krijuar dhe rrezikut të vazhdueshëm, deri në këto momente nuk ka pasur ndërhyrje nga autoritetet për zgjidhjen e problemit apo sigurimin e segmentit rrugor.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë vështirësitë me të cilat përballen banorët, ndërsa aksi Gramsh–Kukur vijon të mbetet një nga segmentet më problematike, i prekur shpesh nga dëmtimet infrastrukturore dhe izolimi pas reshjeve.

Fatmirësisht, deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa përpjekjet për shpëtimin e kamionit vijojnë.