PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është operuar sot, gjatë orëve të para të mëngjesit pasi ka pasur probleme me tëmthin. Pas publikimit të lajmit nga Presidenca, nisën edhe pyetjet se ku ishte kryer procedura, e cila nga “Nacionale” u mësua se u krye në një spital privat të quajtur “Aloka”. Për të konfirmuar faktin, Gazeta ka kontaktuar me zëdhënësin e Presidencës, Bekim Kupina, por nuk ka marrë as konfirmim dhe as mohim lidhur me rastin.
Mirë zgjedhja e presidentes ka shkaktuar edhe një reagim nga Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës. Dhjetëra kirurgë kosovarë që punojnë në institucionet publike shëndetësore, janë ndier të fyer nga përzgjedhja e presidentes Osmani, kështu të paktën pretendojnë në letrën e tyre zyrtare.
“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja ia ka bërë kolegjiumit të kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilin udhëheq, janë të papranueshme për të gjithë. Mjekët e QKUK-së bëjnë me dije se procedura, pra intervenimi kirurgjik që Osmani e ka kryer në “Aloka”, kryhet në QKUK që nga 12 nëntori i vitit 1999. Suksesi i këtij intervenimi në QKUK thuhet se është 99.9 % i sigurt. Duke i dëshiruar shëndet të plotë presidentes znj. Vjosa Osmani, urojmë që raste të tilla të mos përsëriten kur institucionet zyrtare anashkalojnë institucionet shëndetësore publike,”- shkruhet ndër të tjera në letrën e tyre.
Ndërkohë që në vend ka reagime për gjendjen e saj shëndetësore, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vazhdon të jetë e shtruar në spitalin privat “Aloka” pas intervenimit kirurgjik që e pati të martën në këtë spital.