Partia Demokratike akuzoi dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, të cilët fshehën provat e inkriminimit të Arben Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve.
Sipas PD-së, Klodian Zoto ka shërbyer si agjenci turistike për ish ministrin.
“Dhjetëra mijëra euro janë paguar me kartën e kreditit të Zotos për udhëtimet e luksit në Europë të ish-zv/kryeministrit, ish-gruas dhe një prej partnereve të tij. Për një drejtësi të pavarur dhe SPAK të pakapur, do të mjaftonte fakti që, pronari në letër i incenaratorëve, Klodian Zoto, i paguan ministrit që jep lejet, Ahmetaj, udhëtimet dhe hotelet në Europë, për të hapur menjëherë çështjen ndaj zyrtarit të lartë. Edhe studenti i ditës së parë të vitit të parë të Juridikut do ta lexonte këtë konflikt interesi, këtë akt korrupsioni, këtë shpërdorim dhe vjedhje të hapur, përveç prokurorëve të SPAK, që me qerren e drejtësisë kapin lepujt, por jo tigrin e korrupsionit të qeverisë.
Prokurorët kanë pasur në dorë si tabulatet telefonike, si e-mailet e Klodian Zotos për hotelet luksoze në Europë, ashtu dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS. Dy prokurorët e SPAK kanë kryer vepra penale duke fshehur prova dhe duke devijuar qëllimisht hetimet për të ruajtur zëvendëskryeministrin e Rilindjes dhe një nga etërit themelues të bandës së djegsave”, tha zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo.