Pas arrestimit që shkaktoi reagime të forta në mbarë vendin, Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit Ulian Barjami, duke vlerësuar se nuk ekziston asnjë element që përbën vepër penale.
Barjami u ndalua dje pas një debati të ashpër në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve në operacionin “Fast”.
Gjatë debatit, avokati akuzoi organin e akuzës se kishte paraqitur prova të falsifikuara, ndërsa u dëgjua të thoshte: “Do të merrem personalisht me ty dhe oficerët”. Pas kësaj, ndaj tij u bë kallëzim për kanosje ndaj prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore.
Megjithatë, pas shqyrtimit të audioregjistrimit të seancës gjyqësore dhe analizës së materialeve të referuara nga policia, prokurori i çështjes konstatoi se deklaratat e Barjamit nuk përbëjnë vepër penale, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.
Ngjarja solli reagime të forta nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, e cila e cilësoi ndalimin si “akt arbitrar” dhe paralajmëroi bojkot pesëditor të të gjitha seancave gjyqësore në shenjë proteste.
Rasti i Barjamit ka hapur debat të gjerë mbi raportin mes lirisë së fjalës së avokatit dhe veprimeve të organeve të drejtësisë, duke vënë sërish në qendër të vëmendjes tensionet brenda sistemit gjyqësor në Elbasan.





