Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë mësohet se ka apeluar vendimin e Gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë për Jehon Breçanin, të birin e Erzen Breçanit, i cili disa ditë më parë aksidentoi një vajzë të re në rrugën ‘Xhanfize Keko’ në kryeqytet.
Sipas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, referuar të gjitha fakteve të mbledhura pas hetimit të kësaj ngjarjeje, Gjykata duhet të jepte masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për të riun, referuar këtu edhe rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale të kryer nga ai.
19-vjeçari ishte duke ecur në këtë zonë me shpejtësi tej normave të lejuara e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke aksidentuar 24-vjeçaren Xhenisa Gega, e cila si pasojë e plagëve të marra mbeti edhe invalide pasi humbi njërën këmbë.
Breçani pasi humbi kontrollin e mjetit fillimisht u përpals me një mur e më pas me një pemë që e ka thyer ku aty goditi edhe 24-vjeçaren e cila ndodhej në trotuar. Pas aksidentit 19-vjeçari u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.4, ku pas veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ai iu nënshtua edhe testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike. Dyshohet se kur është aksidentuar ka qenë me shpejtësi të lartë.
E reja, e cila u trajtua në spitalin e Traumës në Tiranë ka dalë nga reparti i reanimacionit, duke e kaluar rrezikun për jetën, edhe pse ka humbur një prej gjymtyrëve të saj.