Ka nisur me tensione protesta e thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para bashkisë së Tiranës. Qytetarët kanë hedhur molotov drejt godinës së institucionit, ndërsa tymi ka mbuluar derën e bashkisë.
Policia iu ka bërë thirrje protestuesve të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë. Ajo që bie në sy në protestën e sotme është se ndryshe nga herët e shkuara, ku prezente ishin barrierat metalike, në këtë protestë Bashkia “do të mbrohet” nga barrierat prej betonit.
Qytetarët në protestën para bashkisë kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj për aferën e Inceneratorit të Tiranës si dhe të dosjes 5D.
Gjatë fjalës së tij në protestën para Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi i ka vënë prangat një personi i cili mbante një maskë në fytyrë me pamjen e kryebashkiakut Erjon veliaj.
Ai u shpreh se ky është një akt simbolik dhe kjo do të ishte pamja e kryebashkiakut së shpejti.
Këlliçi në fjalën para protestuesve tha se vjedhja e bërë me bandën “5D” ka habitur partnerët ndërkombëtarë.
“Ajo që i bëri Veliaj Tiranës është e paprecedentë. Vjedhja që është faktuar me bandën 5D ka habitur partnerët ndërkombëtarë dhe socialistët më të egër”, tha ai.