PS-PD asnjë dakordësi për President konsensual, sot “mundësia” e fundit për opozitën

0

Maxhoranca dhe opozita dështuan të gjejnë gjuhën e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të ri edhe në raundin e dytë. Në seancën parlamentare, ashtu si në raundin e parë, nuk u paraqit asnjë kandidaturë për t’u votuar, duke e djegur edhe këtë mundësi.

Pas marrëveshjes mes PS-së dhe PD-së se në dy raundet e radhës, i dytë dhe tretë, kandidati do të propozohej nga opozita, maxhoranca u tërhoq duke ngjallur mosbesim te pakica parlamentare për të përzgjedhur dy emra dhe depozituar në Kuvend.

Djegia edhe e raundit të dytë, ka nxitur Kuvendin që të vazhdojë me shpejtësi me procedurën për raundin tjetër.

Sipas Kushtetutës, raundi i tretë të zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga ai pararendës. Për këtë arsye, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka firmosur urdhrin për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve sot në orën 14:30.

Ajo që pritet të shihet është nëse opozita do t’i besojë më maxhorancës dhe do të vazhdojë të bëhet pjesë e këtij procesi edhe për raundin e tretë.

Kujtojmë që pas marrëveshjes, me gjithë kundërshtitë dhe refuzimet, ky është raundi i vetëm i mbetur në dispozicion të opozitës, për të propozuar ajo kandidatin e saj për kreun e ri të shtetit, pasi për dy raundet e tjera, maxhoranca i ka numrat dhe mund ta zgjedhë e vetme Presidentin e ri.

Burime për gazetën “Panorama” bëjnë me dije se grupi opozitar do të jetë pjesë e Konferencës së Kryetarëve për të ezauruar edhe mundësinë e fundit që ajo të propozojë një kandidat për President.

Ky vendim është marrë për t’i shkuar deri në fund angazhimit të saj në këtë proces dhe të zbulojë përpara publikut seriozitetin e maxhorancës në këtë proces për një President konsensual.

Raundi i dytë dështoi pasi Partia Demokratike u tërhoq të premten nga procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit me akuzën ndaj maxhorancës se prishi marrëveshjen e arritur të mërkurën, duke shkelur pikën 4.

Maxhoranca nuk pranoi të firmoste kandidaturën që propozonte PD, pra që kandidatura të shkonte në Parlament me vota të përbashkëta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu