Putin shpall gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e aneksuara në mënyrë të paligjshme në Ukrainë

0

TIRANË- Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se po shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në katër rajonet ukrainase që muajin e kaluar Moska i shpalli si territore të saj në mënyrë të paligjshme. Rusia ndërkohë ka nisur evakuimin e banorëve nga zonat ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi pranoi publikisht që forcat ukrainase po përparojnë në drejtim të tyre. Ndërkaq janë bërë gati dy javë që kur Moska po kryen sulme ajrore ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Gjendja e jashtëzakonshme në katër zonat e aneksuara në mënyrë të jashtëligjshme nga Rusia, u shpall gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë në Rusi.

“Unë nënshkrova dekretin që shpall gjendjen e jashtëzakonshme në këto katër entitete të Federatës Ruse”, tha presidenti rus.

Presidenti rus udhëzoi gjithashtu qeverinë të ngrejë një këshill të posaçëm nën kryeministrin Mikhail Mishustin për të punuar me rajonet e Rusisë për të forcuar luftën që po zhvillon në Ukrainë.

“Detyrat për të siguruar një operacion të posaçëm ushtarak trajtohen jo vetëm nga agjencitë përkatëse të sigurisë, por edhe nga i gjithë sistemi i administratës shtetërore”, tha presidenti Putin.

Vendimet u morën të njëjtën ditë kur zyrtarët e vendosur nga Rusia në rajonin e aneksuar të Khersonit thanë se kanë nisur evakuimin e 60,000 njerëzve. Këto vendime janë marrë për t’iu kundërvënë humbjeve në betejë nga kundërofensiva e forcave ukrainase.

“Ka autobusë për gati një mijë pasagjerë që presin tek vendi ku po drejtohen njerëzit”, tha zyrtari i instaluar nga Moska në zonën e pushtuar të Khersonit.

Komandanti i forcave ruse që po kryejnë sulmin në Ukrainë, Sergei Surovikin, e përshkroi të martën situatën për forcat ruse në rajonin e Khersonit si “shumë të vështirë”. Kjo është një nga rastet e rralla që zyrtarë rusë pranojnë publikisht presionin që trupat ukrainase po ushtrojnë në terren.

Ndërkohë sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase kanë vazhduar duke lënë pa energji shumë fshatra, qytete dhe pjesë të dy qyteteve të Ukrainës. Po bëhen gati dy javë që Rusia po kryen sulme ajrore. Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka kërkuar nga ukrainasit të kursejnë sa më shumë energjinë.

Prej nisjes së kundërofensivës ukrainase në shtator, forcat ruse janë zmbrapsur gati 30 km.

Marrë nga VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu