Qarku Elbasan/ Informacion mbi situatën nga kushtet atmosferike,

0
Screenshot

Në Qarkun Elbasan vijon moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa gjatë orëve të fundit kanë nisur edhe reshjet e dëborës në zonat malore, në lartësi mbi 600 metra mbi nivelin e detit.

Sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Elbasan, gjatë natës kanë rënë rreth 17 mm reshje shiu. Nga komunikimi i vazhdueshëm me sektorët e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut, si dhe me sallën operative të Policisë Elbasan, raportohet situata si më poshtë:

Në bashkinë Elbasan, është evidentuar prani dëbore në Njësitë Administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë dhe Zavalinë, me trashësi deri në 5 cm. Qarkullimi rrugor vijon normalisht dhe pa probleme.

Përroi i Zaranikës paraqitet me kuota mbi mesataren, ndërsa lumi Shkumbin ka prurje të konsiderueshme uji. Krahasuar me ditën e djeshme, është vërejtur një rritje e ndjeshme e nivelit të kuotës së tij.

Në bashkinë Cërrik, mbrëmjen e djeshme janë kryer ndërhyrje pranë stacionit elektrik tek ish-Uzina e Naftës, ku kishte grumbullim të madh uji. Në operacion u angazhuan dy mjete zjarrfikëse, njëri prej të cilëve në mbështetje nga MZSH Elbasan.

Në bashkinë Belsh, liqeni kryesor ka rritur ndjeshëm kuotën dhe ka dalë nga shtrati. Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit. Si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit, segmenti rrugor Belsh–Trojas është aktualisht i bllokuar, pasi ndodhet nën ujë.

Në aksin rrugor nacional Elbasan–Qafë Thanë, kanë nisur reshjet e dëborës. Qarkullimi vijon, por në kushte të ngadalësuara dhe kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, si pasojë e kushteve të motit janë evidentuar stakime dhe defekte në disa zona malore, konkretisht në:
• Nj.A Steblevë dhe Orenjë – bashkia Librazhd
• Nj.A Skënderbegas dhe Kukur – bashkia Gramsh
• Nj.A Klos dhe Mollas – bashkia Cërrik

Strukturat përkatëse janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe monitorimin e situatës. Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet e dëborës dhe rritja e nivelit të ujërave.