Në Qarkun Elbasan vijojnë reshjet e shiut me intensitet të ulët dhe mesatar, si dhe reshjet e dëborës në zonat malore. Sipas raportimeve të orës 10:00, është vërejtur shtim i intensitetit të dëborës, çka ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore.
Problemati ka në aksin Elbasan–Gjinar–Zavalinë dhe në aksin Elbasan–Tiranë (rruga e vjetër nga Krraba), ku qarkullimi është vështirësuar edhe për shkak të mjeteve që lëvizin me goma të papërshtatshme dhe pa zinxhirë. Në këto dy akse, si edhe në aksin Elbasan–Labinot Mal, vijon hedhja e kripës dhe punojnë borëpastrueset, të cilat ndodhen në terren.
Në bashkinë Gramsh, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve të lumit Devoll në Njësinë Administrative Pishaj dhe të lumit Kërpicë në Njësinë Administrative Kushovë, duke krijuar rrezik për toka bujqësore dhe disa banesa. Mjetet e bashkisë ndodhen në terren për të ndërhyrë në problematika të ndryshme, kryesisht në rrugët e fshatrave, ku ka inerte, bllokime të pjesshme dhe dëborë. Gjithashtu, njoftohet se Hidrocentrali i Moglicës ka nisur shkarkimet rreth orës 08:30, fillimisht me 50 m³/sekondë dhe aktualisht me 100 m³/sekondë.
Në bashkinë Cërrik, është kërkuar mbështetje me një mjet zjarrfikës nga MZSH Elbasan për largimin e ujit pranë stacionit elektrik te ish-uzina e naftës, pasi ekziston rrezik për funksionimin e stacionit dhe sigurinë e punonjësve. Ndërkohë, në Njësitë Administrative Gostimë dhe Mollas ka nisur përmbytja e tokave bujqësore.
Në bashkinë Peqin, po punohet për pastrimin e akseve rrugore që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative, pas rrëshqitjes së dherave si pasojë e reshjeve.
Në bashkinë Prrenjas, raportohet një rast i futjes së ujit në bodrumet e dy banesave. Në vendngjarje ka ndërhyrë MZSH, duke bërë të mundur normalizimin e situatës.
Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile vijojnë të jenë në gatishmëri dhe monitorim të situatës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në qarkullimin rrugor dhe zonat pranë lumenjve.





