Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjyqtarët Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, ka vendosur të shtyjë për javën e ardhshme seancën ku do të shqyrtohej kërkesa e qeverisë për rrëzimin e pezullimit të ministres Belinda Balluku.
Seanca, e cila ishte parashikuar të zhvillohej sot, është caktuar më 2 dhjetor, ndërsa pritet që gjykata të njoftojë së shpejti afatin zyrtar të mbledhjes.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u bë e pandehur për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro, si dhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas SPAK, për të dy tenderët, me vlerë totale 210 milionë euro, Balluku dyshohet se ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
Çështja ka shkuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ministres i është hequr e drejta e firmës nga qeveria.





