Rama për mediet greke: Kërcënimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE janë shumë antike. Greqia ka 80 vjet që nuk heq ligjin e luftës

0

Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë ditën e sotme për televizionin kombëtar grek, ku ka komentuar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Teksa është pyetur për një dialog të mundur mes tij dhe homologut grek, Rama është përgjigjur se me Mitsotakis komunikon dhe se nuk ka nevojë për ndërmjetës që të rregullojë marrëdhëniet me të.

Në lidhje me deklaratat paralajmëruese që janë dhënë nga zyrtarë të ndryshëm grekë për hakmarrje për çështjen Beleri, Rama tha se kjo është jo evropiane dhe shumë antike, pasi nuk mund të ndërhyhet për të penguar procesin e anëtarësimit në BE.

Përsëri Athina mendon se zgjidhja e kësaj çështjeje kalon nga Tirana, nga zyra juaj, topi ndodhet ngjitur. Ju keni thënë se doni një dialog me zotin Mitsotakis. Çfarë do t’i thoni konkretisht?

Kryeministri Edi Rama: Jo, unë nuk kam nevojë për asnjë ndërmjetës për të patur komunikim me Qiriakon sepse ai është një mik dhe unë e kam çmuar dhe e çmoj si një njeri të admirueshëm personalisht dhe si një lider modern dhe unë nuk kam çfarë mesazhi t’i përcjell nëpërmjet mediave sepse nuk është nevoja. Ne komunikojmë dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës as të tjerë, dhe aq më pak për kanale mediatike për t’i thënë njëri-tjetrit ato që mendojmë.

Por një gjë dua të them në fund. Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, – kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje. Te Greqia unë shoh, partnerin tonë jo vetëm në Ballkan, por edhe partnerin tonë edhe në BE. Kështu që shpresoj shumë që vendosja e bustit të kryeministrit Mitsotakis në Derviçan, çka e kam premtuar atëherë dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem nga ai premtim pse ka sot një keqkuptim, të jetë një tjetër arsye për t’u kuptuar mirë me njëri-tjetrin, që në Tiranë, në këtë zyrë, Greqia ka një mik, një mik të vërtetë, një mik të sinqertë. Unë jam kryeministri i Shqipërisë, nuk jam kryeministri i Greqisë dhe unë i shërbej interesave të Shqipërisë dhe jam në krye të një beteje historike që drejtësia në Shqipëri të bëjë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Teksa ka folur për ERT, Rama tha se e vlerëson dhe respekton minoritetin grek në Shqipëri, por shtoi sërish se ka disa persona që flamurin grek e përdorin si kartë krediti. Rama shtoi se Fredi Beleri është një qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe se duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë.

“Njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke”, tha Rama.

Pjesë nga intervista:

-Zoti kryeministër, sipas gazetës Kathimerini ju u ofruat vetë që t’i jepni një intervistë kësaj gazete dhe kjo menjëherë pas postimi të madh tuajin në llogarinë tuaj në facebook, disa ditë pas asaj darkës informale që thirri kryeministri Mitsotakis me liderët e Ballkanit dhe mungesa juaj atje. Tani pranuat, dhe ju falënderoj për këtë intervistë televizive tek kanali ERT news. Duket sikur keni dëshirë t’i thoni diçka mediave greke.

Kryeministri Edi Rama: Patjetër, sepse në momente si ky, kur ka një keqkuptim është e rëndësishme që të komunikohet dhe natyrisht është e rëndësishme që të dëgjohen të dyja kambanat, jo vetëm njëra. Kjo ishte arsyeja pse unë e kontaktova vetë gazetarin grek pasi pashë që çka kishte shkruar ishte vetëm jehona e një kambane dhe ai më dha mundësinë që të dëgjohet dhe jehona e një kambane tjetër.

-Kanë kaluar 80 vjet nga mbarimi i luftës së dytë botërore edhe janë nënshkruar disa traktate miqësie, janë rinovuar më saktë midis dy vendeve. Minoriteti grek në Shqipëri duket sikur trajtohet me një sy skeptik nga sistemi politik shqiptar. Dhe jemi në vitin 2023!

Kryeministri Edi Rama: Sipas meje, kjo është tërësisht e pavërtete në terrenin e fakteve. Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët. Ndërkohë që, unë besoj shumë tek miqësia, tek partneriteti strategjik dhe tek interesi i madh i përbashkët i yni, Shqipërisë dhe Greqisë për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu sikundër besoj në faktin e thjeshtë që minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës dhe një urë e pazëvendësueshme për ta ushqyer dhe për ta forcuar miqësinë mes të dy popujve, mes të dy shteteve dhe patjetër edhe mes dy qeverive, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë dhe pavarësisht se kush qeveris në Athinë.

-Le të vijmë tek intervista juaj e fundit tek Kathimerini. Ju përdorët disa epitete, disa karakterizime të ashpra do të thoja për zotin Beleri, për të cilat ju vet thatë që jeni penduar që i thatë, veçse ka shumë nga ata që thonë, qe i përdoret qëllimisht për përfitime politike dhe u drejtuat me këto retorika paksa ekstreme ndaj një anëtari të minoritetit grek.

Kryeministri Edi Rama: Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke. Ka vetëm një drejtësi dhe nëse kjo drejtësi nuk është e përsosur, nuk është e përsosur për të gjithë.

-Po, por mbetem pak tek ky fakt sepse juve ju jeni drejtuar dhe disa anëtarëve të tjerë të komunitetit grek në Shqipëri duke përdorur shprehjen “përdorin flamurin grek si kartë krediti”. A nuk do të fyhej një minoritar?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam thënë që janë njerëz këta që i fryjnë këtyre erërave dhe që mezi presin që të hedhin benzinë në këtë zjarr, që përdorin flamurin grek si kartë krediti pa asnjë diskutim, por kam thënë gjithashtu që këta nuk janë atipikë në aspektin që ka dhe shqiptarë që e përdorin flamurin shqiptar si kartë krediti. Por ndërkohë që, kur vjen fjala te shqiptarët. Ata nuk mund të ankohen sikur janë minoritarë që po iu shkelen të drejtat dhe po zhvishen nga pronat e tyre. Këta të tjerët e bëjnë këtë dhe të them të drejtën duhet të them e bëjnë me sukses, përderisa arrijnë ta manipulojnë Athinën zyrtare dhe arrijnë të vënë në dispozicion të qëllimeve të tyre jo dhe aq fisnike Athinën zyrtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu