Rama: Prefekturat si “streha e mëkatarëve”, duhen reformuar!

0

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjale të forta për një reformë të thellë në administratën e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e cilësuar qasjen aktuale si të shkëputur nga realiteti dhe nga dinamika që kërkon koha.

Rama u shpreh se këto dy ministri “jetojnë në një kohë tjetër”, duke theksuar se nuk është çështje e individëve, por e vizionit dhe orientimit institucional.

Kryeministri i cilesoi prefekturat si institucione pa ndikim real në qeverisjen vendore dhe punët e brendshme.

Edi Rama: Administrata e ministrisë së brendshme dhe asaj të jashtme janë dy administrata që jetojnë në kohë orare tjetër. Kjo nuk është çështje e punonjësve, por është çështje e vizionit, orientimit dhe asaj që kërkohet nga administrata.

Ndryshimi rrënjësor i administratës që nuk fillon nga ndryshimi i njerëzve, por i qasjes nën një drejtim që kërkon të shihen ndryshe punët e brendshme është domosdoshmëri. Arsimi dhe edukimi i trupës policore nuk është çështje e policisë, por e ministrisë së brendshme.

Funksionimi i prefekturave, dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme po të lexojmë legjislacionin është i gjerë, po të shohim realitetin është i mangët.

Po të shohim sot prefektura janë Refugium Peccatorum, institucione që e kanë humbur peshën dhe kuptimin.

Na duhet një reformë për prefekturat, të cilën natyrisht do ta bashke udhëheqim ministrja e brendshme me ministrin e pushtetit vendor.

Duhet të nxjerrim konkluzionin a na duhen prefekturat apo nuk na duhen fare, si duhen bërë një vlerë e shtuar në gjithë rrjetin e drejtimit të administrimit të punëve të brendshme dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros.