Fillimi i sezonit turistik me vonesë për shkak të situatës së vrullshme të shirave në muajt prill, maj i ka nxitur operatorët turistik të kërkojnë zgjatjen e sezonit veror 2023 deri në fund të shtatorit. Ekspertja e turizmit, Flora Xhemani thotë se hotelet e kanë hedhur këtë ide për të mbuluar humbjet e vitit.
“Hotelet kanë hedhur idenë e shtyrjes së sezonit. Mesa di deri më tani shkolla do të fillojë në 12 shtator dhe rifillimi i shkollës pret si me thikë përsa i përket turistëve shqiptarë. Dhe kjo është një humbje shumë e madhe për bregdetin sidomos për jugun, Dhërmiu, Ksamili etj. Dhe është hedhur ideja që të shtyhet sezoni me një javë apo dy javë që të konsumohej i gjithë shtatori”, tha ekspertja e turizmit, Flora Xhemani.
Të ndodhur tashmë me humbje për shkak të rënies së euro por dhe nga kontratat “all inclusive” të kryer një vit më parë i ka bërë këto shërbime turistike të regjistrojnë 20-30% fitime më pak këtë sezon veror.
Sipas ekspertes Xhemani kjo humbje po rikuperohet me çmimet e larta të vendosura.
“Kudo në botë në pikun e sezonit çmimit janë më të larta se sezonet e tjera. E dyta rënia drastike e euros që ka shkuar pothuajse e barabartë me lekun ka bërë që të gjitha çmimet të rriten, të ofrohen kryesisht në lekë dhe të kompensohet humbja e mundshme. Të mos harrojmë që kontratat e turizmit all inclusive bëhen një vit më parë dhe u bë që në 2020 që këto kontrata janë me 20-30% ulje. Dhe hotelet punojnë dy muaj dhe diku duhet ti kompensojnë këto humbje.”
Sezoni turistik pritet të kulmoj në muajt korrik dhe gusht. Në 5 muajt e parë të vitit vendin tonë e kanë vizituar rreth 2.3 milionë të huaj.