Republika Çeke dëbon 18 diplomatë rusë, akuzohen si spiunë

0

Republika Çeke ka urdhëruar dëbimin e 18 diplomatëve rusë, duke i akuzuar ata se janë spiunë, pasi inteligjenca Çeke ka lidhur agjentët ushtarakë rusë me një shpërthim në një depo municioni më 2014.Si pasojë e këtij shpërthimi kanë vdekur dy persona.

Një zyrtar i lartë i Parlamentit rus, e ka quajtur këtë pretendim absurd.

Kryeministri çek Andrej Babish ka thënë se shteti është dashur të veprojë ndaj publikimeve që lidhin shpërthimin, me shërbimin ushtarak të inteligjencës së Rusisë, GRU.

Në një konferencë televizive të shtunën, Babish ka thënë se 18 diplomatët, të cilët janë identifikuar se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, kanë 48 orë për t’u larguar nga shteti.

“Ka dyshime të arsyeshme se agjentët sekretë rusë të shërbimit GRU, kanë qenë të përfshirë në shpërthimin e vitit 2014 në depon e armëve në fshatin çek Vrbětice”, ka thënë ai.

Shkaku i shpërthimit nuk ishte bërë i ditur publikisht asnjëherë më parë.

Ende është e paqartë nëse ka janë siguruar informacione të reja, që kanë shtyrë autoritetet çeke të bëjnë këtë njoftim, dhe pse Qeveria ka vendosur të marrë veprim kundër rusëve.

Në disa raportime të pakonfirmuara mediale është thënë se armët në depon e shkatërruar të armëve mund ta kenë pasur destinacion Ukrainën, e cila më 2014 ka qenë duke luftuar me luftëtarët e mbështetur nga Rusia, në lindje të Ukrainës.

Në njoftimin e tij, Babish ka fajësuar agjencinë e inteligjencës ushtarake në Rusi, GRU, dhe specifikisht njësitin sekret të njohur si 29155.

Ky njësit ka qenë i lidhur me një seri të komploteve për vrasje dhe sabotazhe nëpër Evropë, përfshirë helmimin e agjentit Sergei Skripal më 2018 në Sallsbëri të Anglisë.

Policia çeke ka bërë thirrje për ndihmë për gjetje të dy individëve, të cilët kanë qenë në Çeki në periudhën 11 tetor – 16 tetor 2014, fillimisht në Pragë, dhe më pas në zonën ku gjendet depoja e armëve.Ajo është duke kërkuar për të dyshuarit me identitetet Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, në lidhje me shpërthimin.

Këta janë emra që janë shfrytëzuar nga dy zyrtarë të inteligjencës ruse, për të cilët Mbretëria e Bashkuar ka thënë se kanë kryer sulmin me agjent nervor në Sallsbëri më 2018.Fotografitë e publikuar nga Policia çeke, flasin për personat e njëjtë, sikurse ato që ka publikuar policia britanike.

Politikani rus Vladimir Dzhabarov ka thënë se pretendimet e Republikës Çeke janë absurde dhe se reagimi rus ndaj dëbimit të diplomatëve do të jetë i njëjtë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Ambasada amerikane në Pragë ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bashkë me aleaten, Republikën Çeke. Ne vlerësojmë veprimin e tyre të rëndësishëm, ashtu që Rusia të paguajë për veprimet e rrezikshme në tokën çeke”.

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 10 diplomatë të ambasadës ruse në Uashington të enjten, si përgjigje ndaj një sulmi kibernetik dhe aktiviteteve tjera ruse.

Moska është përgjigjur njëjtë, duke kërkuar nga 10 diplomatë rusë në Moskë, që të largohen nga Rusia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu