Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme të gjithë vendin kanë shkaktuar probleme me përmbytjen e rrugëve dhe rrëzimin e pemëve. Gjatë natës pati probleme me rrugët, ku disa orë shi bënë që në to të vërshojë një sasi e madhe uji duke shkaktuar përmbytje.
Si pasojë e erërave të forta ka pasur edhe thyerje të degëve dhe rrëzim të pemëve duke bllokuar rrugët dhe dëmtuar makinat. Pamje të tilla vijnë nga qyteti i Shkodrës ku dallohen edhe disa makina të dëmtuara, nga pemët e rrëzuara dhe të shkura me gjithë rrënjë nga era e fortë.
Edhe në Tiranë, pamjet tregojnë se gjatë natës rrugët janë përmbytur, por që situata është kthyer në normalitet mëngjesin e sotëm me pushimin e reshjeve të dendura të shiut.
Tiranë, shirat e dendur përmbysin rrugët gjatë natës, situata kthehet në normalitet gjatë mëngjesit
Gjatë orëve të natës, Tirana u përfshi nga shirat e dendura dhe stuhi të forta të ere duke shkaktuar përmbytje të disa akseve rrugore. Në video shihen rrugët e përmbytura nga uji, por kjo situatë ka zgjatur pak orë gjatë natës, pasi mëngjesin e sotëm situata është kthyer në normalitet dhe rrugët janë të lira nga ‘pushteti’ i ujit.