Riorganizimi i gjykatave, reagon avokati Lena: Projekt që nuk ka funksionuar më parë

0

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hartuar një draft për riorganizimin e gjykatave në vendin tonë, të cilin ja ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe pritet të miratohet së shpejti.

Sipas draftit të cilin KLGJ thotë se ja ka përcjell Ministrisë së Drejtësisë propozohet që nga 22 gjykata të shkallëve të parë të bëhen 12; nga gjashtë gjykata administrative të bëhen 2; dhe nga gjashtë apele të bëhet një në të gjithë vendin.

Në lidhje me riorganizimin e sistemit të gjykatave ka reaguar dhe avokati Arben Lena, në emër të dhomës së avokatisë Korçë.

Lena ndër të tjera deklaron se ky projekt është provuar dhe më parë dhe nuk ka pasur sukses, duke shtuar se është e pamundur që një qytetar i Leskovikut të vijë në Apelin e Tiranës për një çështje.

Duke folur për vështirësitë aktuale të Apelit të Korçës, Lena thekson se zgjidhja më e mirë është plotësimi i gjykatave të apelit dhe jo eliminimi i tyre, pasi me plotësimin e gjykatës së apelit shumë probleme apo cështje që kërkojnë zgjidhje në Korcë do të zgjidhen.

Reagimi i plotë:

Ka disa kohë që KLGJ  po shqyrton një projekt për  hartimin e hartave gjyqësore ne Republikën e Shqipërisë e cila nënkupton  që disa gjykata do të eliminohen. Jo më vonë se sa sot KLGJ  ka kërkuar që harta gjyqësore të miratohet sa më parë. Në prefekturën e Korcës eliminohet Gjykata e Apelit dhe parashikohet sipas  projektit që Gjykatat e Apelit do të jenë shumë larg rrethit tonë ose në Tiranë. Ky projekt me një gjykatë apeli është një projekt i cili ka qenë funksional deri në vitin 1999 dhe ka qenë një praktikë që nuk funksiononte , pikë së pari nuk funksiononte sepse aksesi i qytetarëve  në drejtësi duhet të jetë efektiv, cka nënkupton se një prefekturë kaq e madhe  sa Korca  të mos ketë gjykatë apeli, është e pamundur  që qytetarët e kësaj zone të kenë akses në drejtësi.

E dyta do të krijohet një pamundësi për të ndjekur proceset gjyqësore pasi edhe tani  që jemi në situatën kur ekziston  apeli Korce dhe pavarësisht faktit  që kjo gjykatë ka vonesa pasi ka 18 muaj që nuk shqyrton asnjë  ceshtje themeli civile, përsëri kjo gjykatë është gfunksionale dhe shumë ceshtje penale marrin zgjidhje. Nderkohë që me eliminimin e saj do të bëhet e pamundur për të patur një zgjidhje funksionale. Të gjithë antarët e dhomës së avokatisë Korcë, kanë  firmosur një notë proteste të cilën ja kemi drejtuar KLGJ-së, Ministrisë se Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Ministrave.

Ne kërkojmë që  gjykata e apelit në Korcë të mos lëvizë, pasi është  i pamundur funksionimi normal i drejtësisë në këtë prefekturë. Është e pamundur që një qytetar i Leskovikut të shkojë dhe të kërkojë zgjidhje në apelin e Tiranës. Është e pamundur që avokatët në Korcë për një cështje të zakonshme të shkojnë deri në Tiranë, pasi do të thotë humbje e ditës dhe efikasitetit dhe  është e pamundur për zgjidhjen e ceshtjeve, pasi një gjykatë e vetme do të ngarkohet  me të gjitha cështjen e Shqipërisë. Ky projekt i cili nuk ka funksionuar dikur dhe është e vërtetuar, nuk do ti vijë në ndihmë sistemit gjyqësor  por do ta futë sistemin në një vorbull pa zgjidhje.

Sipas nesh zgjidhja më e mirë është plotësimi i gjykatave të apelit dhe jo eliminimi i tyre, pasi me plotësimin e gjykatës së apelit shumë probleme apo cështje që kërkojnë zgjidhje në Korcë do të zgjidhen.  Gjykata e Apelit në Korcë pavarësisht se funksionon me gjysmën e gjyqtarëve ka efikasitet, largimi i saj do krijojë kolaps total.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu