Një muaj pas firmosjes së memorandumit me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për zbatimin e projektit të rijetëzimit të lagjes Kala në Elbasan, qytetarët janë në pritje të nisjes së punimeve.
Ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit në vitet (2003-2006), Ardian Turku, ka shprehur shqetësimin e tij mbi strukturimin e Kalasë, duke kujtuar se gjatë mandatit të tij kishte arritur në fazën përfundimtare të një projekti restaurimi me Universitetin e Pizës. Megjithatë, pas largimit të tij nga detyra, ai pretendon se ndërhyrjet e mëvonshme nuk kanë qenë të realizuara në mënyrë profesionale.
Turku sugjeron që të riniset bashkëpunimi me ekspertët italianë dhe të tregohet kujdes i veçantë për rrjetet inxhinierike nëntokësore, të cilat janë thelbësore për qëndrueshmërinë e infrastrukturës në zonën historike.
Kalaja e Elbasanit, një monument me vlera të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, nisi ndërtimin me urdhër të Perandorit Romak Dioklecian në vitin 284 të erës sonë dhe u rindërtua nga Sulltan Mehmeti II në vitin 1466.