Një ndërprerje masive në sistemin Amazon Web Services (AWS) ka shkaktuar kaos në mbarë botën, duke lënë miliona përdorues pa akses në dhjetëra faqe e aplikacione të njohura.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, problemi ka prekur qendrën e të dhënave US-EAST-1, një nga nyjet më të rëndësishme të rrjetit cloud të Amazon. Për pasojë, platforma të njohura si Canva, Snapchat, Signal, Venmo, Robinhood, Duolingo, Fortnite, madje edhe vetë Amazon.com, janë bërë përkohësisht të paaksesueshme ose kanë funksionuar me vonesa të mëdha.
Shumë përdorues kanë raportuar në rrjete sociale se nuk mund të ngarkonin projekte, të kryenin pagesa apo të hynin në llogaritë e tyre. Në rrjetin “X”, hashtag-u #AWSdown është kthyer në trend botëror, ndërsa disa kompani kanë konfirmuar zyrtarisht se problemet lidhen me rrjetin cloud të Amazon.
Ekspertët e teknologjisë thonë se një defekt në AWS mund të ndikojë zinxhir në qindra faqe të tjera, pasi shumica e platformave globale mbështeten në këtë infrastrukturë për ruajtjen e të dhënave, sigurinë dhe shërbimet API.
Amazon ende nuk ka dhënë një afat të saktë për rikthimin e plotë të funksionalitetit, por ka deklaruar se ekipet teknike po punojnë intensivisht për të zgjidhur situatën.
Në orët e fundit, disa prej platformave kanë rifilluar funksionimin e pjesshëm, por përdoruesit raportojnë se problemet vazhdojnë në mënyrë sporadike.
Kjo është një nga ndërprerjet më të mëdha të vitit, duke rikujtuar se sa i varur është interneti global nga pak kompani të mëdha që mbajnë në duar “infrastrukturën digjitale” të botës.





