SHBA, bien rastet e Covid-19 në shtëpitë e të moshuarve

0

Rastet e koronavirusit kanë rënë në azilet e të moshuarve në Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e tjera të kujdesit afatgjatë gjatë javëve të fundit, duke ofruar një rreze shprese që zyrtarët e shëndetësisë ia atribuojnë fillimit të vaksinimeve, një qetësimi të valës pas festave dhe parandalimit më të mirë, mes arsyeve të tjera.

Më shumë se 153’000 banorë të shtëpive të të moshuarve dhe qendrave ku jetojnë me kujdes shëndetësor kanë vdekur nga COVID-19.Virusi ende vret mijëra prej tyre çdo javë.

Prirja e përgjithshme për banorët e qendrave të kujdesit afatgjatë po përmirësohet, me më pak raste të reja të regjistruara dhe më pak qendra që njoftojnë shpërthime të reja të infeksionit. Shoqëruar me shifra më pozitive për vendin në përgjithësi, kjo përbën shtysë për optimizëm edhe nëse është shumë herët për të deklaruar fitoren.

“Ne patjetër mendojmë se ka shpresë dhe dritë në fund të tunelit”, tha Marty Wright, i cili kryeson një grup tregtar të shtëpive të të moshuarve në shtetin Virxhinia Perëndimore.

Shtëpitë e pleqve kanë qenë një prioritet që kur filluan vaksinimet në mes të dhjetorit dhe qeveria federale thotë se 1.5 milion banorë të kujdesit afatgjatë tashmë kanë marrë të paktën një dozë fillestare.

Studiuesit dhe drejtuesit e këtij sektori thonë se po shohin përmirësime të dukshme pas disa muajsh gjatë të cilave disa shtëpi pleqsh humbën dhjetëra banorë nga sëmundja dhe u desh të mbanin të tjerët në gjysmë-izolim për t’i mbrojtur.

Ekspertët paralajmërojnë që vetëm disa nga përmirësimet mund t’iu atribuohen vaksinave.

Studimet nga Izraeli tregojnë se një pacienti i duhen rreth 12 ditë për vaksinën e parë nga dy dozat e vaksinës së kompanisë Pfizer ose kompanisë Moderna për të siguruar një mbrojtje domethënëse, tha Roni Rosenfeld, epidemiolog në Universitetin Carnegie Mellon. Megjithë banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe punonjësit që kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ato doza nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për të funksionuar për shumicën e njerëzve, tha ai këtë javë.

“Vaksina ka të ngjarë të ketë kontribuar, por shumë, shumë pak”, tha zoti Rosenfeld.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se faktorë të tjerë ka të ngjarë të luajnë një rol më të madh, duke përfshirë një rënie të kontakteve në valën pas festave, një numër gjithnjë e më të madh të njerëzve që janë imunë sepse kanë kaluar sëmundjen, ndryshimet në sjellje dhe sasi më të bollshme të veshjeve mbrojtëse. Dhe ata paralajmërojnë se ka ende rreziqe, përfshirë nga lloje më ngjitëse të virusit dhe një ngurrim nga shumë punonjës të shtëpive të pleqve për t’u vaksinuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu