Shiste lëndë narkotike në doza, arrestohet 58-vjeçari! Policia i gjen edhe armë pa leje

0

Goditet një rast i shitjes së lëndëve të forta narkotike, në qytetin e Vlorës.

U kap në flagrancë me doza kokaine dhe kanabisi, gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë sportive (pistoletë) pa leje, vihet në pranga 58-vjeçari, me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve intensive për evidentimin dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike, ka ushtruar kontrolle në disa lagje të qytetit, ku si rezultat:

Në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, u kap në flagrancë shtetasi Gj. C. (F)., 58 vjeç, i cili dyshohet se shiste në zona të ndryshme të qytetit, doza me lëndë narkotike, kryesisht kokainë.

Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, një peshore elektronike si dhe një armë sportive (pistoletë), të cilën e posedonte pa leje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, u bë arrestimi i këtij shtetasi, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.