Shkarkimi i Veliajt/ Rama çon në Presidencë vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dërguar zyrtarisht në Presidencë shkresën që njofton vakancat në drejtimin e gjashtë bashkive në vend. Dokumenti mban datën 30 shtator dhe i hap rrugë nisjes së procedurave institucionale për zëvendësimin e kryetarëve që dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë.

Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë.

Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andi Salla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama.

“E nderuar, në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe referuar pikës 4, të nenit 61, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave është vënë në dijeni për krijimin e vakancave për kryetar në disa bashki të vendit, përkatësisht, bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, e si rrjedhim kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor. Gjithashtu, bashkëlidhur lutem gjeni vendimin nr.539, datë 25.9.2025, të Këshillit të Ministrave”, thuhet në letrën e Kryeministrisë.


Sipas ligjit, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Procesi pritet të pasohet nga vendimmarrja e Begajt për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Por nuk dihet nëse Presidenti do t’i dekretoj zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se çështja është në Kushtetuese. Dhe Kushtetuta parashikon që duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese