Shkëlqejnë Enkileda Carja dhe Ertjan Kofsha/ Shpallen kampionë për të rritur në peshëngritje

0

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka hapur sezonin e garave për vitin 2024, teksa të shtunën në Tiranë është mbajtur Kampionati Kombëtar për të rritur. Një eveniment që pa të garonin 60 sportistë, të cilët përfaqësonin klube të ndryshme të vendit. Siç është bërë e modës gjatë këtyre viteve të fundit edhe këtë herë aktiviteti u zhvillua në bodrumin e Parkut Olimpik, aty ku ndodhet palestra e peshëngritjes.
Ra në sy gjithashtu edhe mungesa e dy emrave të mëdhenj të shtangës shqiptare, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të cilët e “snobuan” kampionatin. Ndonëse bëhet fjalë për veprimtarinë më të rëndësishme në rang kombëtar, FSHP bën të ditur se Calja gjithashtu edhe Qerimaj kanë zgjedhur që të ruajnë forcat për Kampionatin Europian që do të mbahet në shkurt në Bullgari.

FEMRAT – Duke u kthyer te garat, në radhët e femra spikati Enkileda Carja, e cila vetëm pak ditë para kampionatit u transferua te skuadra e Teutës. Ndonëse ende nuk ka bërë 16 vjeç, Carja meritoi vlerësimin e sportistes më të mirë të aktivitetit. Vajza e talentuar nga Elbasani, kampione dhe rekordmene e Europës me moshat, konkurroi në kategorinë e peshave 64 kg. Ajo regjistroi 82 kg në stilin e shkëputjes dhe 100 kg në shtytje, duke e mbyllur dygarëshin me 182 kg. Një paraqitje e shkëlqyer nga Carja, e cila vijon të mahnitë me rezultatet e saj, tashmë duke dominuar edhe në kampionatin e të rriturave. Ndërkohë në rang ekipor për femra kampione u shpall skuadra e Partizanit. Vajzat e drejtuara nga trajneri Ervis Tabaku u klasifikuan në vend të parë, duke lënë pas Tiranën dhe Teutën.

MESHKUJ – Edhe te meshkujt triumfi në Kampionatin Kombëtar ka shkuar për një talent të madh si Ertjan Kofsha. 18-vjeçari i Shtërmenit u shpall kampion kombëtar në kategorinë e peshave 89 kg, gjithashtu edhe sportisti më i mirë i aktivitetit. Kofsha regjistroi rezultatin 155 në stilin shkëputjes dhe 185 në shtytje, për ta mbyllur dygarëshin me 340 kg. Rezultat shumë i mirë i Kofshës, që tregoi se nuk është vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e peshëngritjes shqiptare. Ndërkohë, për sa i përket nivelit ekipor, Tirana, nën drejtimin e trajnerit Sokol Bishanaku, vijon dominim e saj në shtangë, duke u shpallur përsëri kampione.

Duke i kthyer te protagonisti kryesorë i kampionatit, në përfundim të garës kampioni Ertjan Kofsha u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin e arritur. “Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar, që arrita të shpallesha kampion Shqipërie për të rritur. Ky është një sukses i madh për mua, pasi tashmë po rritem shumë dhe kam premisa të mëdha. Falënderoj bashkinë dhe federatën për mbështetjen që më kanë dhënë gjithmonë. Tashmë më pret gara ndërkombëtare në 13 shkurt, Kampionati Europian për të rritur në Bullgari, ku do të synoj të kem rezultate sa më të larta”, deklaron Kofsha.

Ndërsa trajneri Leonard Toska e komentoi kështu paraqitjen e sportit të tij: “Kofsha më gëzoi dhe njëherë tjetër, duke treguar se është e ardhmja e peshëngritjes. Shumë shpejt ai do të bëhet sportist i madh dhe këtë do ta shohin të gjithë. Tani na pret gara e Bullgarisë, ku Ertjani do synojë të renditet në zonën e shpërblimeve”, shprehet për “Panorama Sport” trajneri Leonard Toska.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu