Shpërthimi i covid në Shqipëri ka “rikthyer në punë” Komitetin e Ekspertëve, të cilët kanë dhënë detaje mbi situatën epidemiologjike në vendin tonë.
Drejtoresha e IPSH, Albana Fico tha se mesatarja javore e rasteve ka shkuar në 482 nga 291 që ishte një javë më parë.
Sipas Ficos, masat nuk kanë ndryshuar, por duhen zbatuar ato që janë, si përdorimi i maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena.
Thirrja e ekspertëve është për vaksinim, ndërsa Gjirokastra rezulton të qarku me mbulesën vaksinale më të lartë.
“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste nga 291 që ishte një javë më parë. Numri total i rasteve aktive në vend ka shkuar 5792, që çon në rritje të incidencës javore me rreth 5 herë.
Qytetarët që rezultojnë pozitiv duhet të karantinohen. Gushti ishte një muaj i hapur vaksinimi, edhe shtatori do jetë muaj i hapur.
Në total janë bërë 1 396 390 vaksinime, 788 mijë persona me doza të para. Të vaksinuar plotësisht, me dy dozat janë 590 mijë persona.
Gjirokastra është qarku me mbulesën vaksinale më të lartë. Masat nuk kanë ndryshuar, duhet fuqizuar zbatimi i tyre nga institucionet ligjzbatuese dhe nga qytetarët. Ju lutem vaksinohuni”, tha Fico.
Shkak për rritjen e infektimeve është bërë qarkullimi masiv i variantit Delta në vend.
“Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë bashkitë me incidencën më të lartë”, tha Fico