Ka humbur jetën 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj, të cilit iu bë atentat me lëndë plasëse në makinë.
Mjeti ishte duke lëvizur nga Tirana në drejtim të Elbasanit, në momentin kur shpërtheu lënda plasëse, e më pas flakët në makinë.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, ekipi antieksploziv i RENEA-s dhe Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Flakët dhe tymi i zi ka përshkruar të gjithë aksin, ndërsa ngjarja ka shkaktuar trafik të dendur makinash.
Policia ka devijuar më pas qarkullimin e mjeteve, për shkak se janë dëgjuar disa shpërthime të mëpasshme, deri në shkrumbimin total të mjetit.
Fillimisht Sadikaj u pa i gjymtuar në rrugë, por si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën disa minuta më vonë.
Burime bëjnë me dije se Sadikaj udhëtonte i vetëm në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, e cila dyshohet se është komanduar me telekomandë. Autorët e kanë vendosur në makinën e Sadikajt, dhe më pas kanë kryer shpërthimin e saj, në një nga zonat me trafikun më të dendur në kryeqytet.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me lajmin e dhënë pak më parë se në afërsi të TEG-ut, në automjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. S. ka shpërthyer, dyshohet lëndë eksplozive, ju informojmë se:
Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S. ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.





