“Shqipëria do të skuqet nga turpi kur McGonigal të pranojë krimet në vendin tonë”, Berisha: Bashkëpunoi me Ramën për një puç ndaj opozitës dhe Presidentit

0

“Shqipëria do të skuqet nga turpi kur McGonigal të pranojë krimet në Shqipëri”. Kështu deklaroi sot ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat lidhur me çështjen McGonigal.

Ai tha se mediat lajmërojnë se avokati i McGonigal po punon me prokurorin e Uashingtonit për pranimin e fajësisë edhe për dosjen shqiptare.

Sipas Berishës, veprimtarinë e tij korruptive kriminale, përveç Nju Jorkut, McGonigal e ka zhvillur në Shqipëri në bashkëpunim me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat, Dorian Duçka, Agron Nezën, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe persona të tjera.

“Këto ditë, mediat e mëdha në SHBA dhe kudo në botë, janë hapur përsëri me superskandalin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun, McGonigal, i cili siç dihej, ndiqej penalisht për dy dosje.
Në Nju Jork ai ndiqej për dosjen ruse dhe në Uashington për dosjen shqiptare.
Dy ditë më parë, Charles McGonigal pranoi fajësinë e tij se ka shkelur betimin, është korruptuar dhe ka tradhtuar FBI-në, pasi duke shfrytëzuar detyrën e besuar, mbikëqyrjen e oligarkut rus nën sanksione, Oleg Deripaska, të lidhur direkt me Putinin, ai ka bërë të kundërtën.

Ai në një akt të shëmtuar, është korruptuar me para nga Deripaska, është angazhuar kundrejt shumave të majme për heqjen e sanksioneve të Deripaskës, dhe për hetimin për vendosjen e sanksioneve ndaj rivalit të tij, një biznesmeni rus.
Në dosjen e Nju Jorkut, McGonigal ka pranuar fajësinë edhe për akuzën për larje parash dhe gjykatësi i Nju Jorkut ka shpallur se në dhjetor të këtij viti do të njoftojë vendimin që për këto dy akuza shkon nga 5 deri në 20 vite.
Mediat lajmërojnë se avokati i McGonigal po punon me prokurorin e Uashingtonit për pranimin e fajësisë edhe për dosjen shqiptare.
Veprimtarinë e tij korruptive kriminale, përveç Nju Jorkut, McGonigal e ka zhvillur në Shqipëri në bashkëpunim me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat, Dorian Duçka, Agron Nezën, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe persona të tjera.

Veprimtaria kriminale antiligjore e McGonigal, Duçkës, Nezës dhe të tjerëve, në Shqipëri është pesëvjeçare dhe është e zhvilluar në këto drejtime.
-Drejtimi i parë në skemën e Deripaskës por me pasoja tragjike për një komb anëtar të NATO-s. Angazhimi i tij në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare, për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës.
-Vendosja e gjobave shumëmilioneshe ndaj bizneseve që ishin nën sanksione duke ui mashtruar se mund t’i hiqnin nga lista përkundrejt pagesave.

-Ndërhyrje korruptive për heqje licence nafte dhe dhënien te një kompani ruse, të kontrolluar mesa duket nga Deripaska”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi më tej se McGonigal përgatiti dosjen manipulative për shpalljen e tij non-grata, por se “SKAP-i i partisë po hesht”.

“Unë jam këtu para së të gjithash për të denoncuar me forcën më të madhe indiferencën kriminale, antiligjore dhe antikushtetuese të SKAPit të partisë dhe drejtësisë shqiptare ndaj aferës McGonigal në Shqipëri.
Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në Shqipëri.
Nuk mund të ketë drejtësi në botë, përveç asaj që funksionon në kontrollin e plotë të qeverisë, që nuk hap hetimin dhe nuk vendos ndjekjen penale ndaj McGonigal dhe Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës, që rekrutuan me korrupsion McGonigal, për hetime private, që i dërguan të dhëna dhe dëshmitarë me këshilltarin privat, Dorian Duçka në zyrën e tij në Nju Jork, dhe që e paguan me ish-oficerin e sigurimit të Shtetit, Agron Neza për hetimin e lobistit të PD, Nick Muzin.
Dhe siç del nga burime të besueshme, për përgatitjen me manipulim dhe falsifikim, të dosjes për shpalljen non-grata të Sali Berishës.
Një heshtje e tillë armiqësore ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës së vendit dhe rendit demokratik, mund ta mbajnë vetëm prokuror dhe hetues, militantë fanatikë të Edi Ramës”, tha ish-kryeministri.

Sipas tij, nga drejtësia nuk u hetua banda e gjobëvënësve që tentuan të bëjnë pis presidentin me akuzat e Tom Doshit.

“Nuk ka drejtësi në botë që nuk funksionon nën kontrollin e plotë të politikës, që pranon të heshtë ndaj angazhimit nga Edi Rama të McGonigal, Dorian Duçkës, Agron Nezës në hetimin për të provuar si të vërteta akuzat false të Tom Doshit për të nxjerrë vrasës apo porositës së vrasjes së Tom Doshit, presidentin e Republikës, vetëm e vetëm pse ai nuk i bindej diktatit të Edi Ramës.
Një heshtje të tillë mund ta mbajnë vetëm ata që janë skllevër që zbatojnë verbërisht urdhrat e Edi Ramës.
Nuk ka drejtësi në botë që mund të refuzojë të hapë dosjen dhe të ndjekë penalisht Ramën, McGonigal, Duçkën, Nezën, Gjiknurin, të cilët në një akt korruptiv, i hoqën licencën një kompanie ruse, për t’ia dhënë atë një tjetër kompanie ruse, duke gjobitur me aktin e tyre antiligjor, qindra milionë euro në arbitrazh shtetin shqiptar.
Nuk ka drejtësi në botë që nuk është nën kontrollin e plotë të kryeministrit si një degë ekzekutive, që të mos hetojë McGonigal, Duçkën, Nezën, të cilët si kriminelë gjobëvënës terrorizuan me kërcënime për shpallje non-grata dhe me premtime se do hiqnin nga lista një numër biznesmenësh shqiptarë, prej të cilëve pati nga ata që patën guximin t’i denoncojnë publikisht.
Refuzimi i hetimit për këta kriminelë gjobëvënës është akuza më e rëndë për ata që mbyllin sytë përpara këtij krimi.
Duke dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime antiligjore dhe antikushtetuese të organeve të drejtësisë, PD garanton opinionin publik dhe ndërkombëtar se ajo do bëjë gjithçka për zbardhjen e krimeve monstruoze të McGonigal, Edi Ramës, Dorian Duçkës, Ddamian Gjiknurit dhe Agron Nezës, që për një arsye apo një tjetër, janë implikuar në këto krime të shëmtuara”, tha Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu