Situata drejt normalizimit në Qarkun Elbasan, reshjet pushojnë dhe akset mbeten të hapura

0

Sipas informacionit të ditës së sotme, datë 9 janar 2026, situata në Qarkun Elbasan paraqitet e qetë dhe e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme.

Që prej orëve të pasdites së djeshme dhe gjatë natës, reshjet e shiut kanë pushuar. Deri në këto momente, nuk raportohen problematika apo situata emergjente në territorin e qarkut.

Në akset rrugore nacionale, është hedhur kripë në segmentet ku ka rrezik për formim ngrice, ndërsa të gjitha akset janë të hapura dhe të kalueshme për qarkullimin e mjeteve.

Në bashkinë Elbasan, qarkullimi drejt Zavalinës në Njësinë Administrative Gjinar dhe drejt Qafës në Njësinë Administrative Labinot Mal kryhet me përdorimin e zinxhirëve.

Në bashkinë Gramsh, në disa njësi administrative, konkretisht Lenie, Poroçan dhe Kukur, qarkullimi i mjeteve vijon të kryhet me zinxhirë.

Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin janë në rënie, megjithatë mbeten mbi mesataren e tij, pa paraqitur probleme. Në kushte normale paraqiten edhe përroi i Zaranikës dhe përroi i Paprit.

Në lidhje me furnizimin me energji elektrike, raportohen mungesa të energjisë në:
• fidrin Klos–Mollas, bashkia Cërrik
• Njësinë Administrative Polis, bashkia Librazhd
• disa zona malore të bashkisë Gramsh, konkretisht në Kukur dhe Cerujë

Gjithashtu, si pasojë e një defekti teknik, pa energji elektrike ka mbetur edhe një lagje në qytetin e Elbasanit. Strukturat përkatëse janë në terren dhe po punojnë për eliminimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit normal.

Institucionet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat ku qarkullimi kryhet me zinxhirë.