SKANDALI/ Qeveria pagoi deri në qershor shoqërinë që u sekuestrua nga SPAK në mars. Zbulohen skema të tjera përvetësimi nga inceneratorët!

0

Moslejimi i ndryshimit të masës së sigurisë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, rikthimi në qeli i ishdeputetit, Alqi Bllako, verifikimet e të gjithë emrave të denoncuar që në janar të këtij viti, që u përfshinë në skema mashtrimi dhe përfitimi bëri që SPAK-u të vepronte sërish.

Ditën e djeshme lëshoi 11 urdhër-arreste, por siç ka ndodhur shpesh në këto kohë, shumë prej të kërkuarve të SPAK-ut për t’u vënë në pranga nuk janë gjendur në banesë. Të dhënat për urdhër-arrestet dhe për kontrollin nëpër banesat e personave të dyshuar, doli disa orë përpara se SPAK-u t’i komunikonte gjetjet e reja në aferat korruptive dhe mashtruese në inceneratorin e Fierit, një nga më të shënjestruarit e SPAK-ut, teksa po orvatet prej një viti me idenë për të zbuluar aferat me inceneratorët e thënë që do ngrihen që para 6 vitesh.

SPAK-u, në njoftimin e ditës së djeshme për të gjithë punën e bërë në këtë fazë të hetimit, tregon se në fakt, pagesa fiktive janë kryer deri në qershorin e këtij viti, pra edhe pasi ishin kryer arrestimet e para dhe të bujshme. Madje, skandali thellohet edhe më tej, kur vetë SPAK-u në njoftimet e mëhershme kishte deklaruar se kjo shoqëri ishte sekuestruar që në mars, ndonëse ajo vijonte të kryente pagesa. Ndonëse bëhet me dije se në këtë nismë hetimore kanë qenë parashikuar për tu vënë në pranga edhe kryebashkiakë, Struktura e Posaçme Hetimore nuk ka përfshirë në këtë listë ndonjë emër të njohur, përveç një biznesmeni, zyrtar i lartë i Federatës së Futbollit tonë, emri i të cilit në fakt u denoncua prej të paktën 10 muajsh nga gazeta “Panorama”.

Operacioni i SPAK Kështu, duke i dyshuar si të implikuar në inceneratorin e Fierit për akuza që nga korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, pastrimi i parave dhe skemat mashtruese me TVSH, SPAK-u kërkoi të arrestohen edhe 11 shtetas të tjerë. Po prej tyre u arrestuan vetëm 5, kurse 6 të tjerë po kërkohen ende. Emri që ra në sy ishte ai i Arben Dervishajt, aktualisht zëvendëspresident i FSHF-së, por i arrestuar në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve për inceneratorin e Fierit.

I cili dyshohet se jo vetëm përfitoi udhëtime falas në Itali për të parë ndeshje futbolli, por që firmosi edhe situacione false sikur punimet të ishin kryer. 4 të arrestuarit e tjerë janë Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi dhe Gentian Zifla. SPAK-u përmend se aksioneri kryesor, Klodian Zoto, në bashkëpunim me Arenc Myrtezanin pasqyruan gjithashtu situacione të pavërteta në vlerën e 4 milionë euro, që më pas u paguan nga Ministria e Mjedisit, duke u përfituar nga shoqëria koncesionare. Me përjashtim të zyrtarit të FSHF-së, 4 janë administratorë në 8 subjekte private prej të cilave SPAKu dyshon se kryen blerje fiktive nga kompania koncesionare.

Ndërkohë që për të njëjtën dosje mbahet në paraburgim Lefter Koka, SPAK-u kujtoi edhe në njoftimin e radhës se ishzyrtari i lartë dyshohet të ketë pastruar para. Kurse ish-sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako, dyshohet se u favorizua nga shoqëria koncesionare, pasi i ati përfitoi një pagë mujore prej 6 mijë euro për periudhën nga 2018 në 2020. SPAK-u thotë se koncesionarit iu paguan nga Ministria e Mjedisit dhe Energjetikës një shumë prej 4 miliardë lekë deri në qershor 2022, kohë në të cilën po sipas një njoftimi të mëparshëm rezulton se kjo shoqëri ishte sekuestruar prej marsit 2022. Njoftimi zyrtar nga SPAK-u deklaron se shoqëria nën hetim u vendos nën sekuestro në mars, por duke u bazuar te njoftimi i dytë mbetet e paqartë se si vijuan të kryhen pagesat nga autoritetet kontraktore ndaj një subjekti të bllokuar për llogari të çështjes penale.

VEÇIMI I OBJEKTIT TË AKUZËS

Objekti i hetimit të këtij procedimi penal janë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur në lidhjen e kontratës së koncesionit, me nr.5553/5, datë 24.10.2016, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vlerë të kontratës 32.8 milionë euro, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. Në vijim të hetimit, përveç të dhënave të bëra publike në njoftimet e mëparshme në lidhje me këtë procedim penal, kanë rezultuar edhe fakte penale të tjera, si më poshtë: Së pari, nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Mjedisit, në fillim dhe më pas, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) deri në datën 30.06.2022, janë bërë pagesa në drejtim të shoqërisë.

DMINISTRATORË FIRMASH PRIVATE QË KANË MARRË PJESË NË SKEMË:

Arbër Denizi, administrator i “PIVOT-04” (në kërkim);

Juri Ymeraj, administrator i kompanisë “J.P.Y” (në kërkim);

Silvester Dreza (në kërkim);

Enver Sheshi, administrator i “Leli-17” sh.p.k. (i arrestuar);

Robert Shabani, përfaqësues ligjor i “Best Services” sh.p.k., (i arrestuar);

Regan Merdani, administrator i “Froggy” sh.p.k., (i arrestuar);

Gentian Zifla, administrator i “Itneg” sh.p.k., (i arrestuar).

PERSONAT ME PËRGJEGJËSI ADMINISTRATIVE TË PËRFSHIRË:

Luran Dusha, administrator i Inceneratorit të Fierit (në kërkim);

Arjola Kodra, administratore e Inceneratorit të Tiranës (në kërkim);

Arben Dervishaj, biznesmen, zëvendëspresident i FSHF-së (i arrestuar);

Giuseppe Ciaffaglione, administrator i Landfillit të Sharrës (në kërkim).

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu