‘S’ke rrugë për Giro d’Italia’, Rama i përgjigjet komentuesit: Certifikatë e një Shqipërie të rilindur!

0

Nisja e eventit sportiv ‘Giro d’Italia’ nga Shqipëria, për herë të parë në histori, për kryeministrin Rama është dëshmi e një certifikate të një Shqipërie të rilindur.

Duke iu përgjigjur komentuesve në Facebook, të cilët e kritikojnë se vendi ynë s’ka rrugë për organizmin e një eventi kaq të madh sportiv, kreu i qeverisë shprehet se organizatorët jo vetëm që kanë ardhur vetë këtu për t’i parë rrugët, por kanë dhënë vlerësime pozitive për të gjitha kushtet si për infrastrukturën, por edhe sigurinë.

“Urime për iniciativën dhe promovimin, por ende s’ka rrugë Shqipëria. Vetëm lotët e ballukut dëgjojmë, dhe rrugë nuk shikojmë”, i shkruan Auel Cepele-kryeministrit Rama.

“I dashur Aurel ti thua Shqipëria s’ka rrugë për Giro d’Italia, sepse dëgjojmë vetëm lotët e Ballukut thua ti, por rrugë nuk shohim. Ndërkohë të zotët e punës që organizojnë xhiron, nuk e dëgjojnë fare Ballukun, madje kam përshtypjen as nuk e dinë kush është, por kur kanë ardhur vetë në Shqipëri për të parë kushtet, jo vetëm i kanë parë rrugët por kanë bërë një vlerësim shumë pozitiv, të të gjitha kushteve, infrastrukturë, hoteli, siguri, pastërti dhe ekipe profesionale në çdo bashki, fjalët e tyre këto jo të miat”, i përgjigjet Rama.

Kryeministri thotë se organizimi i këtij eventi në Shqipëri, deri pak vite më parë ishte një ëndërr me sy hapur, por sot është kthyer në realitet.

“Tani çtë të them unë, kohë e çuditshme ka ardhur me disa nga ne, vëllai im shqiptar. Deri dje ishin deri në fyt dhe nxeheshim me të huajt që s’na hidhnin as sytë, ndërsa sot nuk i shohim ndryshimet që ja bëjnë muu dhe çuditemi me miliona të huaj që vijën në këtë vend, ku s’ka rrugë, ku s’ka drita, s’ka ujë, s’ka bukë, dhe ku vriten njerëzit përditë rrugë më rrugë. S’di vërtetë çtë them për rrugët që ti i dëgjon, por nuk i sheh, madje thua dëgjojmë në shumës dhe nuk i shohim në shumës. Se siç thotë populli nuk sheh syri, por sheh mendja. Nuk ka të verbër më të verbër se ai që s’do të shikojë. Di të them që përfshirja e Shqipërisë në Giro d’Italia, është certifikata e një Shqipërie të rilindur, e cila nga burim paragjykimesh dhe përçmimi për shqiptarët, kudo kurdo nëpër botë, është kthyer në burim vlerësimi dhe respekti për të gjithë ne, për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar. Ta mendosh që deri para disa vitesh Giro d’Italia në Shqipëri ishte si një ëndërr me sy hapur, por lum kush ka ambicie, kurajo, vullnetin të luftojë që ëndrrat me sy hapur të bëhen realitet. Sot ajo ëndërr me sy hapur është realitet, sepse unë ëndërroj, luftoj, fitoj falë një force të madhe popullore që quhet PS, pa të cilën asnjë ëndërr nuk bëhet dot realitet për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë”, vijon Rama.