GJERMANI – Spanja është gjysmëfinalisja e parë e Euro 2024, Gjermani eliminohet nga vazhdimi i garës. Ndeshjen e parë të madhe të Europianit e Shtutgartit, e cilësuar si një finale e parakohshme, e meritonte cilësimin. Për të përcaktuar fituesin u desh minuta e 119-të, për të zgjidhur enigmën e gjysmëfinalistit. Merino do të ishte heroi i spanjolëve, i cili do të shënonte me kokë pas një pasimi të Olmos.
Luftë e fortë sportive, emocione dhe në fund keqardhje, që përfundoi një betejë e tillë dhe e vërtetë futbollit. Natyrisht edhe për eliminimin e Gjermanisë, fati kësaj here nuk ishte me ta, por në horizonte është rikthimi i saj…
Spanja e mbushur me plot talente dhe virtuozitet është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2024 dhe pret fituesen e çiftit çerekfinalist midis Portugalisë dhe Francës, për të mësuar kundërshtarin e saj të radhës. Triumfi i saj ishte ishte i pakontestueshëm, përballë një kundërshtari dinjitoz si Gjermania.
Pas golit të shënuar nga Dani Olmo (51’), Gjermania bëri gjithçka për të barazuar, dhe pas shtyllës së Fullkrug, ishte mesfushori i talentuar Wirtz (89’) që do të kurorëzonte këmbënguljen e gjermanëve, duke barazuar në 1-1.
Që në minutën e 8-të Spanja humbet një nga yjet e ekipit, Pedri lë fushën e lojës i dëmtuar! Ndërkohë në minutën e 13-të Rudiger për një ndërhyrje të gabuar, merr karton të verdhë që do të thotë se nuk do të luajë në gjysmëfinale nëse kualifikohen. Po ashtu për karton tjetër të verdhë do të humbasë finale edhe Le Normand, mbrojtësi spanjoll.
Gjermania ka zhvilluar një pjesë të pare shumë të mirë, duke vendosur jo pak në presion spanjolët që nga ana e tyre janë përpjekur të vënë në vështirësi Neuer, por aksionet e tyre kanë qenë të pasuksesshme, duke mbyllur kështu 45 minutat e para në barazim pa gola.
Me fillimin e pjesë së dytë me Spanja është me një tjetër ritëm dhe në minutën e 51-të Olmo, i futur në minutën e 8-të për të zëvendësuar Pedrin, zhbllokon takimin dhe shënon 1-0 për Spanjën.
Por duhej të vinte minuta e 89-të që Wirtz, të shënonte dhe të barazonte rezultatin në 1-1. Mbyllet edhe pjesa e dytë dhe ndeshja i drejtohet shtesave, 2 herë nga 15 minuta.
Në shtesa, në minutën e 106-të gjermanët pretendojnë për një penallti, pas prekjes së topit me dorë nga Cucurella, por gjyqtarin Taylor gjithçka ishte e rregullt.
Por Merino, i futur në lojën në minutën e 80-të në vend të Williams, kur thuajse gjithçka po përfundonte, në minutën e 119-të, një pasim të Olmos do ta godiste me kokë, duke shënuar 2-1 dhe dhuruar Spanjës, biletën e merituar, por të vështirë të gjysmëfinalistes së pare të Euro 2024.





