TIRANE – Shqipëria luan këtë të hënë në orën 20:45 në “Air Albania” ndeshjen e fundit të kualifikueseve të EURO 2024, ndërsa ndaj Ishujve Faroe kërkon 3 pikët, që të shkojë në Gjermani si kokë e Grupit E një rezultat maksimal ky, pasi kuqezinjtë mund të arrijnë këtë objektiv të tyre të ri edhe me një barazim.
Ndërsa jemi në prag të sfidës të fundit të këtyre eliminatoreve dhe në bazë të informacioneve të fundit, ky është edhe formacioni i mundshëm që trajneri Sylvinho ka programuar për këtë ndeshje, duke bërë ashtu siç e tha dhe ai vetë, disa rifreskime në skuadër nisur nga ngjeshja e ndeshjeve dhe lodhja e lojtarëve nga takimi me Moldavinë.
Me sa duket ndryshimi do të vijë që nga porta, ku për mbërmjen e nesërme pritet që në 11-shen e pare të jetë Strakosha në vend të Etrit Berishës. Gjithashtu një tjetër emër i ri krahasuar me formacionin e ndeshjes së fundit pritet të jetë edhe Ivan Balliu në vend të Elseid Hysajt, Keidi Bare gjithashtu do ta rishohë veten në formacionin bazë në këtë ndeshje të fundit, duke i marrë vendin mesfushorit të Interit, Kristjan Asllanit.
Ndërkohë që priten ndryshime edhe në repartin e sulmit, ku me gjasë do të jetë Ernest Muçi ai, i cili do të zëvendësojë Nedim Bajramin në këtë ndeshje, ndërkohë që Myrto Uzuni me shumë mundësi do të marrë vendin e Taulant Seferit. Gjithashtu edhe Sokol Cikalleshi do të lihet pushim nga trajneri, për t’i dhënë mundësinë që nga minuta e pare Mirlind Dakut.