Sylvinho sot me tre sulmues!… Ja formacioni i Shqipërisë përballë Gjeorgjisë!

0

GJEORGJI – Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme seancën e fundit stërvitore në stadiumin, ku sot (18:00) do të luhet ndeshja e raundit të katërt të Nations League përballë Gjeorgjisë.

Kuqezinjtë, nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, janë fokusuar te aspekti atletik për të rikuperuar nga lodhja e ndeshjes me Çekinë, por edhe në aspekte të ndryshme të taktikës që do të përdoret, duke u ndalur më pas edhe te një problem i dukshëm që është shfaqur në ndeshjet e fundit.

Te gjuajtjet në portë, një mangësi e madhe e ekipit në dy disfatat kundër Gjeorgjisë në Tiranë dhe Çekisë në Pragë. Në ndeshjen e Tiranës, kuqezinjtë nuk kanë gjuajtur asnjëherë në portën kundërshtare gjatë 90 minutave, ndërsa arritën vetëm dy herë që të kalibronin goditjet në portën çeke me Asllanin dhe Tucin.

Në këtë takim, nisur edhe nga obligimi që kemi për të marrë vetëm fitoren, trajneri Sylvinho duket se do të ketë një formacion me tipare më ofensive. Ndërkohë që porta dhe mbrojtja do të mbetet e njëjtë: me Strakoshën mes dy shtyllave dhe Hysajn, Ismajlin, Kumbullën dhe Mitajn në repartin e mbrojtjes; në mesfushë pritet të tërhiqet Bajrami për t’i zënë vendin Laçit, i ndihmuar nga Ramadani dhe Asllani. Ndërsa në 3-shen sulmuese pritet nga minuta e parë Arbër Hoxha me Jasir Asanin në ndihmë të sulmuesit të vetëm qëndror Mirlind Daku.

Një ndeshje shumë e vështirë për kuqezinjtë, që ndryshe nga takimet e tjera kanë vetëm një synim, fitoren, për të mbajtur ende gjallë objektivin kryesor. Gjithçka në Tbilisi të Gjeorgjisë do të startojë nga ora 18:00.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu