Të burgosurit e sëmurë në Shqipëri, vdesin për shkak të vendimeve agresive të gjykatave

0

TIRANË- Ditën e sotme ka humbur jetën një i dënuar pranë IEVP Durrës, duke u vetëvarur. I ndjeri quhej Roland Hasani dhe ishte rreth 40 vjeç. Një ambulancë e çoi në gjendje të rëndë në Spital, por për shkak të procedurave burokratike që shkaktuan vonesë, ishte e pamundur që Hasani të shpëtonte.

Vdekja e 40-vjeçarit, është një nga rastet e shumta ku të burgosurit e sëmurë, lihen të dergjen në burgje duke mos i ofruar ndihmën e parë mjekësore.

Andon Mëhillaj është një tjetër i burgosur që humbi jetën nga infarkti, në burgun e Peqinit, në datë 2 shkurt 2020. Prej disa kohësh ai kishte shprehur shqetësimet për shëndetin e tij, por as gjykata nuk ia ndyshoi masën e sigurisë dhe as ndihma mjekësore nuk iu dha në kohë.

Më herët ishte i dënuari Erjon Bushi, 38 vjeç, i cili humbi jetën në burgun e Fushë-Krujës, në data 6 Prill 2018. Bushi vdiq nga ataku kardiak, njësoj si bashkëvuajtësi i tij Andon Mëhillaj.

Blerim Xheja nga Elbasani, 52 vjeç, kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Por ai humbi jetën në burgun e Peqinit në 9 shkurt 2017, nga arresti kardiak. As gjykata nuk reagoi dhe as ambulance nuk nxitoi për ta shpëtuar.

Pak muaj më parë, në 9 shkurt 2022, në burgun e Peqinit, humbi jetën dhe Artur Gjoci, 46 vjeç, nga infarkti. Janë me dhjetra raste të tilla, ku të burgosurit kanë humbur jetën nga sëmundje të ndryshme, për shkak se gjykatat e vendit janë treguar kokëfortë me masat e sigurisë.

Kodi penal parashikon se për arsye të veçanta të gjendjes shëndetësore të të burgosurit ose paraburgosurit lejohet zëvendësimi i masës së arrestit, nga arrest me burg në arrest shtepie, në mënyrë që të bëhet e mundur përmirësimi i kushteve të trajtimit. Çfarë është më e rëndësishmja të jetë e mundur dërgimi me urgjencë pranë spitaleve në raste nevoje, pasi nëse i burgosuri gjendet në ambjentet e IEVP, kërkon shumë kohë e procedura shkresore për të bërë të mundur dërgimin e tij në urgjencë.

Fajtorët kryesor për këto vdekje janë vendimet e gjyqtarëve, të cilët në të shumtën e rasteve nën petkun e reformës në drejtësi refuzojnë zëvendësimin e masave të arrestit për të burgosurit, duke argumentuar se trajtimi mjekësor mund të bëhet dhe në ambjentet e izoluara.

Por nga rastet e treguara më sipër, por dhe të tjera, është e dukshme që të sëmurët në burgje nuk arrijnë të shpëtojnë.

Të drejtat themelore të njeriut parashikojnë heqjen e lirisë në raste hetimi ose dënimi por jo rrezikimin e jetës së personit dhe krijimin e kushteve të kurimit dhe trajtimit mjekstor. Kjo e drejtë po censurohet nga gjykatat tona duke shkaktuar vdekjen e dhjetra të arrestuarve.

Duhet të jetë ky një sinjal i fortë alarmi për prokurorinë dhe gjykatat, që parimi i humanizmit dhe i prioritetit të jetës njerëzore përpara izolimi me çdo kusht të të dyshuarve për vepra penale, të jenë parësore.

Izolimi me çdo kusht i të sëmurëve me sëmundje të rrezikshme për jetën e tyre, duhet të ndalet dhe të mos ketë me humbje tragjike jete në kushtet e paraburgimit, ku personeli i burgjeve nga garantues i jetës së të ndaluarve bëhet përcjelles i tyre për në banesën e fundit.

Marrë nga Voxnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu