Të shpallur në kërkim për trafik narkotikësh/ Në pranga tre persona

0

Të shpallur në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, në pranga tre persona.

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Falë bashkëpunimit të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Elbasan, me FAST Albania dhe Interpol Tirana, janë arrestuar 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Nga strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Rr. M., 30 vjeç, banues në Tiranë. Këtij shtetasi, Gjykata e Torinos, Itali, në datën 11.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, është bërë lokalizimi dhe arrestimi provizor i shtetasit K. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 11.02.2020, i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale me drejtim trafikimin e narkotikëve” parashikuar nga Kodi Penal italian.

Gjithashtu, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana, është bërë lokalizimi i vendndodhjes, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi në Itali, i shtetasit shqiptar B. D., 31 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, më datë 11.02.2020, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu