Telepati? Fantazma? Rastësi? Disa shqiptarë tregojnë histori të çuditshme, por të vërteta

0

 

Vanesa Hudgens tha se mund të flasë me fantazmat. Nisur nga kjo temë, Margo – administratorja e Instagramit të Anabel – pyeti ndjekësit për “aftësi” të tilla ose ngjarje të çuditshme dhe të pashpjegueshme që u kanë ndodhur. Disa prej tyre treguan se ndjenin se nuk ishin vetëm edhe kur ishin vetëm, të tjerë përmendën rastet kur kishin parandjerë ngjarje të rëndësishme, si tërmete ose fatkeqësi.

#1

Që para se të dija se çfarë ishin [fantazmat], unë arrija t’i shikoja. Në një fragment sekondi, një person me të bardha, ose shpeshherë si mace, që më lëvizte para syve. E ndiej që nuk jam vetëm edhe kur jam vetëm. Për këtë arsye kam frikë nga errësira e madhe. Më së shumti i ndjej në momente stresuese ose kur kam diçka të rëndësishme. Më del një hije e bardhë që më kalon afër dhe çuditërisht nuk kam frikë. Jam mësuar. Nuk arrij dot t’i shoh të qarta fytyrat, por janë gjithmonë një grua dhe një burrë, pleq të dy, me të bardha dhe një mace e bardhë.

#2

Kam parë për një periudhë shumë të gjatë një prift, i cili qëndronte para portës sime. Sa herë kthehesha në darkë në shtëpi dhe futesha brenda, gjithmonë diçka më shtynte të ktheja kokën mbrapa dhe shiihja priftin. Nuk reagonte. As unë. Vetëm kisha një ndjesi të mpirjes së gjithë trupit sepse ai shihte me një fytyrë trishtimi, sikur unë i kisha bërë diçka. Kam qenë në një periudhë jo të mirë asokohe, mund ta kem pasur edhe nga kjo.

#3

Para disa vitesh, pashë në ëndërr sikur u errësua gjithçka dhe filloi një erë e fortë. Pastaj ndodhi një tërmet i madh aq sa hapi tokën dhe pashë një familje shqiptare që i njohim që i mori toka brenda. Gruaja shpëtoi, ndërsa fëmijët dhe burrin i mori hapësira e tokës. Pas disa vitesh, familja bën aksident dhe të gjithë ndërruan jetë, përveç gruas që mbijetoi në ëndërr.

Kam parashikuar edhe vdekjen e dy gjyshërve të mi. Gjithashtu, para disa kohësh pashë në ëndërr një shoqen time të fëmijërisë të cilën nuk e shihja prej 15 vitesh. Në ëndërr binte borë dhe shumë shi. Në ëndrrat e mia bora është diçka e keqe. Flas me një shoqe tjetër dhe më thotë që ajo vajza kishte tumor në tru. Ndërroi jetë pas disa muajsh.

#4

Unë nuk komunikoj, por shoh [fantazma]. Dje më tha vajza e vogël që ‘mami kaloi një burrë me të bardha’. Më shfaqet një pamje vërtet si njeri, në fragment sekondi dhe ikën. Gjithmonë kam parë një burrë me të bardha, të zbathur dhe me mjekër të bardhë. Sa përqendrohem që ta shoh mirë, zhduket. E ndiej prezencën në shtëpi. Për shembull, kur laj enët mund ta dalloj që po kalon dikush. E ndjej një hije që lëviz me shpejtësi.

#5

Ka raste kur ndjej një frymë që më rri sipër kokës dhe kërcasin gjëra në dhomë vazhdimisht. Në disa raste bëhet shumë ftohtë në ambientin ku ndodhem.

#6

Nuk më ndodh shpesh, por ka raste që kam ndjerë se do të ketë tërmet para se të kishte lëvizje. Ka ndodhur disa minuta para. Përveç ndjesisë brenda meje, më duket sikur toka bie në qetësi totale, ose më saktë unë nuk dalloj asnjë zhurmë dhe është si ndjesi sikur thithet toka përbrenda. Gjithmonë që më ka ndodhur kjo, ka rënë tërmet.

#7

Kam një telepati të frikshme. Gjithmonë mendoj për diçka të keqe që mund të ndodhë dhe arrij deri aty sa e perceptoj edhe kujt personi do t’i ndodhë.

#8

Shoh ëndrra ose kam mendime çasti dhe pas disa kohësh, ndodhin fiks siç i kam parë unë në ëndërr ose siç i kam menduar.

#9

Shoh çdo natë në ëndërr një shtëpi, një vend magjik dhe një vend në pyll. Pra, tre vende të ndryshme brenda një nate. Nuk e di, por më duket sikur kam lidhje nga një jetë e mëparshme me to. Sikur i përkas atyre vendeve.

#10

Kam qenë në bachelor në fakultet në vitin 2018 dhe në shtator kisha një provim për përmirësim. Kot nga hiçi, një ditë para provimit, po mendoja: “Shpresoj që të mos ndodhë ndonjë vdekje se kam provim dhe do bëhet varrimi dhe nuk shkoj dot në provim”. Në orën 10 të darkës ndërroi jetë gjyshi. Ishte shumë mirë, shumë i shëndetshëm dhe ndodhi shumë shpejt.

E njëjta gjë ndodhi edhe me tërmetin e 26 nëntorit – një natë para i thashë vëllait “imagjino të bjerë ndonjë tërmet të na shkundë mirë”. Ishte thjesht shaka, por familja u trondit sepse e di këtë anë timen.

Ndërsa një herë në gjimnaz, kur kisha mamin sëmurë në spital, nuk po mendoja se si ishte mami, por mendoja për mamin e një shoqeje, nëse ishte mirë, nëse kishte probleme. Pas disa çastesh, disa miq hapën një grup në WhatsApp ku na njoftuan për të shkuar te varrimi i mamit të shoqes që kisha në mendje. Është shumë e frikshme si ndjesi sepse më duket sikur është faji im.

Marrë nga:

Telepati? Fantazma? Rastësi? Disa shqiptarë tregojnë histori të çuditshme, por të vërteta – Anonim të lutem (anabelmagazine.com)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu