Në vazhdim të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2” në Elbasan, një rast i shitjes në doza të drogave të forta ka përfunduar me sukses.
Në një aksion të koordinuar, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Artemis Ullorja 49 vjeç, banues në fshatin Tregan.
Shtetasi i dyshuar kishte siguruar lëndë narkotike kokainë dhe e kishte ndarë në qindra doza, duke planifikuar shitjen.
Në momentin e arrestimit, shërbimet policore sekuestruan një sasi të konsiderueshme kokainë, si dhe gjetën një peshore elektronike, celular dhe automjetin që ai përdorte për shpërndarjen e dozave.
Materialet procedurale për këtë rast janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme dhe për hetimet e nevojshme.