Thirrja e babait të Klodianit për protestuesit: Mos lëndoni asnjë djalë nëne

0

Mbrëmjen e sotme në media u shpërnda një letër, ku thuhej se familja Rasha, e të ndjerit që u vra nga efektivi i policisë 4 ditë më parë kërkon nga të rinjtë në protestë që të mos manipulohen nga politika dhe të mos ketë dhunë ndaj efektivëve të policisë. “Rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera” thuhet ndër të tjera në letër duke përmendur rastin e policit që rrezikon që të humbasë syrin nga goditjet që mori në protestën e dy netëve më parë. Në letër thuhet “politikanët t’i thirrin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesat e tyre”.

Abcnews.al kontaktoi me të atin e Klodianit, Qazim Rasha, i cili tha se “Atë deklaratë e kam thënë që ditën e parë, është prononcimi që kam dhënë. Unë kërkoj që për hir të djalit asgjë të mos jetë e tepërt dhe të mos rëndohet akoma ajo pesha e dhimbjes sime. Mesazhin e kam për mbarë shqiptarët që ai që e ndjen me shpirt dhimbjen për të protestuar, unë të drejtën e protestës, unë nuk i imponoj dhe as i detyroj njeri, është dëshira, vullneti dhe zemra që ndjen cdo njeri për atë dhimbjen që ndjej unë, dhe ajo është një lehtësim që më jep një kurajo, lehtësim dhimbjes, por unë ma andej, unë nuk kam nevojë dhe fjalë të tjera. Nuk jam absolutisht për akte dhune dhe dëmtim, se m’u dëmtua djali im, mos dëmtohet asnjë djalë nëne. Unë jam një qytetar i Tiranës. Jam për të mirën e gjithkujt. Dëshiroj që me kaq të mbyllet dhe të mos kem lëndime të tjera” tha Qazim Rasha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu