Armëpushimi i shpallur nga Rusia në Ukrainë, për Krishtlindjen Ortodokse është thyer sipas forcave ukrainase. Kievi njoftoi se janë zhvilluar luftime në disa qytete ukrainase, por Moska tha se i është përgjigjur zjarrit të forcave ukrainase. Edhe Ministria britanike e Mbrojtjes e Britanisë konfimoi se luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase kanë vijuar.
Kievi thotë se Moska nuk i ka ndalur sulmet pavarësisht njoftimit nga presidenti rus Vladimir Putin për një armëpushim të përkohshëm gjatë Krishtlindjeve Ortodokse. Sipas zëdhënësit të ushtrisë ukrainase, gjatë 24 orëve të fundit, forcat ruse kanë kryer gati 20 sulme.
“Rreziku i sulmeve ajrore dhe sulmeve me raketa mbetet në të gjithë Ukrainën. Qëllimet kryesore të armikut janë përqendruar në përpjekjet për të kapur plotësisht rajonin e Donetskut. Po kështu po kryen sulme në drejtimin të qytetit Bakhmut,”- deklaroi Oleksandr Shtupun, zëdhënës i ushtrisë ukrainase.
Përveç Donetskut, Kievi thotë se janë goditur rajonet më lindore të Ukrainës, si: Luhansku, Kharkivi, Zaporizhia si dhe rajoni jugor, Khersoni. Guvernatori i qyteti Sevastopol në Krimenë e aneksuar nga Rusia, me anë të një postimi në rrjetin social “Telegram” tha se mbrojtja ajrore rrëzoi të shtunën një dron. Mikhail Razvozhaev tha se droni ishte nisur nga forcat ukainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të shtunën se forcat e saj në Ukrainë do të respektojnë armëpushim të shpallur në mënyrë të njëanshme për Krishtlindjet Ortodokse, deri në mesnatë. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes tha se trupat ruse iu ishin përgjigjur sulmeve të forcave ukrainase.
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Britanisë konfimoi se luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase kanë vijuar edhe në periudhën e Krishtlindjeve Ortodokse. Sipas zbulimit britanik luftime më të ashpra janë kryer rreth qytetit të Kreminës, në rajonin e Luhanskut./REL