Tjetërsuan 151 mijë metra katrorë tokë në Durrës, arrestohet ish drejtuesi i Kadastrës dhe 4 të tjerë

0

Pesë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia për tjetërsimin e dokumenteve të një toke me sipërfaqe prej 151 000 m2 në lagjen nr.15 të Durrësit.

Si pasojë e aksionit me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, në pranga kanë rënë Ardit Kërtusha 33 vjeç, Gjovalin Ndoci 44 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; Leonard Kadrimi, 35 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i ASHK Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës.

Njoftimi i Prokurorisë

Ekzekutohet masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për 9 shtetas të tjerë.

Vendoset sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 151 000 m2, që dyshohet se është përfituar nga 2 shtetas (njëri i arrestuar dhe babai i një të arrestuari tjetër).

Si rezultat i një hetimi të kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, ne drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në muajin shkurt të vitit 2023, në këtë Prokurori, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Tjetërsimi”.

Në vijim të veprimeve procedurale janë shpallur në kërkim shtetasit:

M. Z., 46 vjeç, banues në Durrës, ish-jurist i ASHK Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

K. K., 65 vjeç, banues në Durrës, “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tjetërsuar dokumentet e një pasurie të paluajtshme (tokë), me sipërfaqe 151 000 m2, në lagjen nr.15, Durrës.

Nga tjetërsimi i dokumenteve, shtetasi i arrestuar L. Xh. ka përfituar në mënyrë të paligjshme, një sipërfaqe toke rreth 75 000 m2, ndërsa shtetasi D. T. (babai i 61-vjeçarit të arrestuar) ka përfituar një sipërfaqe toke prej 76 000 m2. Shtetasit L. K., M. Z. dhe A. K. dyshohet se duke shpërdoruar detyrat në ASHK Durrës, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme.

Në kuadër të këtij procedimi penal, është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën “Përvetësimi i produkteve ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për shtetasit:

M. Xh., 55 vjeçe, K. Xh., 34 vjeç, Ë. T., 63 vjeç, K. T., 58 vjeç, Sh. T., 66 vjeç, Sh. V., 68 vjeçe, B. B., 59 vjeçe, O. Xh., 46 vjeç dhe A. K., 47 vjeçe (ish-juriste e ASHK Durrës), të gjithë banues në Durrës.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal është vendosur sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 151 000 m2, në lagjen nr. 15, Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu