Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lituani, ku një autobus që thuhet se transportonte refugjatë nga Ukrainë është përmbysur.
Siç raporton BBC, një autobus me 53 gra dhe fëmijë që po largoheshin nga konflikti është përmbysur pranë qytetit të Pasvalys në Lituani. Mjeti po udhëtonte nga kufiri Polako-Ukrainë në Finlandë kur shoferi humbi kontrollin rreth orës 06:00 me orën lokale (08:00 GMT), sipas kanalit televiziv kombëtar lituanez LRT.
Ai tha se të paktën 10 persona, përfshirë fëmijë, u plagosën. Ata u dërguan në spitalet pranë zonës ku ndodhi aksidenti, ndërsa pasagjerët e mbetur, që nuk ishin dëmtuar, u dërguan në qendrën kulturore Salociai.
Një nga pasagjerët i tha kanalit televiziv: “Ne nuk kemi fjetur për tre ditë, ndoshta të gjitha 18 ditët gjatë të cilave jemi duke u bombarduar. Në momentin që më zuri gjumi dhe autobusi u përmbys, vajza ime filloi të bërtiste dhe ne filluam të kërkonim mbesën time. Ajo ra nga vendi dhe përfundoi pranë shoferit. Falë Zotit nuk u lëndua.”