Në segmentin rrugor që lidh Tunelin e Krrabës me rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan është krijuar një situatë tejet e rënduar për shkak të trafikut të dendur dhe fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve, veçanërisht në drejtim të Juglindjes së vendit. Ky segment strategjik i cili shërben si nyje kyçe për qarkullimin drejt qyteteve si Elbasani, Pogradeci ,Korça dhe më tej, po përballet me ngarkesë të madhe lëvizjeje duke krijuar vonesa të ndjeshme në lëvizje dhe vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit është e pranishme në terren dhe po bën gjithçka të mundur për disiplinimin e qarkullimit dhe lehtësimin e lëvizjes. Patrullat janë vendosur në pika kyçe përgjatë këtij aksi, ndërkohë që janë marrë masa shtesë për orientimin e trafikut dhe për shmangien e bllokimeve. Megjithatë, për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm, veçanërisht gjatë orëve të pikut dhe fundjavave, qarkullimi në këtë segment vazhdon të jetë i ngadalësuar dhe në disa raste, i bllokuar për periudha të shkurtra kohore.Fluksi i shtuar lidhet kryesisht me lëvizjen e qytetarëve drejt zonave turistike të Juglindjes, si dhe kthimin e emigrantëve për festat dhe pushimet pranverore. Kjo ka sjellë ngarkesë të papërballueshme për infrastrukturën ekzistuese, e cila në disa segmente nuk i përgjigjet volumit të lartë të automjeteve.
Autoritetet bëjnë apel për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, si dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme në oraret me trafik të dendur. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i rrugëve alternative, aty ku është e mundur, për të lehtësuar presionin mbi këtë segment të mbingarkuar.Situata në segmentin Tuneli i Krrabës – Bradashesh mbetet shqetësuesedhe kërkon ndërhyrje të koordinuar dhe plane afatgjata për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe menaxhimin më efikas të trafikut, veçanërisht në periudhat me ngarkesë të shtuar.