Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në Itali, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën 5 persona, katër djem dhe një vajzë.
Sipas mediave italiane, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në rrugën provinciale 45 në komunën Rezzato, në provincën e Brescia, ku një autobus është përplasur me një makinë duke u marrë jetën 5 të rinjve të moshës nga 17 në 22 vjeç.
Viktimat, disa me origjinë të huaj, po udhëtonin për në Brescia me një makinë që u përplas kokë më kokë me një autobus që vinte nga drejtimi i kundërt.
Viktimat janë tre 20 vjeç të identifikuar si Dennis Guerra, nga Sabbio Chiese, El Harram Imad, nga Preseglie dhe Natiq Imad, nga Pertica Bassa, 22-vjeçari Natiq Salà, nga Vestone, dhe një vajzë 17-vjeçare, Irene Sala. Ndërkohë nga aksidenti ka shpëtuar vetëm shoferi i autobusit.
Sikurse shihet nga pamjet e publikuara nga mediat vendase, makina ku udhëtonin të rinjtë është shkatërruar plotësisht nga përplasja e fortë. Por, edhe autobusi është dëmtuar shumë nga aksidenti, por fatmirësisht në të udhëtonte vetëm shoferi, duke shmangur kështu një tragjedi të mundshme me më shumë viktima apo të plagosur.