Transmetuesi publik turk lançon platformën digjitale TRT Balkan

0

Platforma e re mediatike ka si synim shtatë vende në Ballkan dhe do të publikojë përmbajtje në shumë gjuhë, si shqip, boshnjakisht dhe maqedonisht.

Transmetuesi publik i Türkiye-s TRT, ka lançuar TRT Balkan-in, një platformë e re digjitale e lajmeve që do të mbulojë çështjet politike, sociale, kulturore dhe ekonomike për Ballkanin.

Platforma, e cila hyri në funksion sot, do të publikojë përmbajtje speciale për Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Ajo synon mbi 30 milionë njerëz nga këto vende dhe diaspora ballkanike me një gamë të gjerë përmbajtjesh në shumë gjuhë, duke përfshirë gjuhët shqipe, boshnjake dhe maqedonase.

Ashtu si platformat e tjera ndërkombëtare të lajmeve të TRT-së, TRT Balkan do të publikojë gjithashtu përmbajtje në YouTube, Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok.
Me zyrat e saj në Shkup dhe Sarajevë, TRT Balkan do të funksionojë me synimin për të ofruar lajme objektive dhe të besueshme për audiencën e saj nga i gjithë Ballkani.

– “Ta bëjmë të dëgjohet zëri i Türkiye-s”

TRT Balkan është një tjetër hap drejt përpjekjes për ta bërë zërin e Türkiye-s të dëgjohet në mbarë botën, tha drejtori gjeneral i TRT-së, Prof. Dr. Mehmet Zahid Sobacı.

Platforma është pjesë e planeve të TRT-së për t’u zgjeruar globalisht.
Institucioni me bazë në Ankara tashmë ka pesë burime të ndryshme ndërkombëtare: TRT World, TRT Arabi, TRT Russian, TRT Deutsch dhe TRT Francais.

E themeluar në vitin 1964, organizata turke mediatike ka vazhduar rrugën për t’u bërë një transmetues i madh ndërkombëtar që nga viti 2016, kur filloi shërbimin e saj në gjuhën angleze, TRT World.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu