Transportonte emigrantë drejt kufirit në mënyrë të paligjshme, arrestohet 18-vjeçari në Korçë

0

Olger Dida, banues në Tiranë, 18-vjeç është arrestuar nga policia e Korçës pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Po ashtu u shpall në kërkim A. P., 19 vjeç, po banues në Tiranë.

Policia thotë se arrestimi i të riut u bë pas kontrolleve të ushtruara në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar.

Gjatë operacionit atij iu sekuestruan automjeti dhe një aparat celular, sakaq bashkëpunëtori i tij vijon të jetë në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

DVP Korçë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 18”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës, 4 emigrantë të paligjshëm, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.

Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen automjeti dhe një aparat celular.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 18”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi O. D., 18 vjeç.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi A. P., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Shtetasi O. D., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 18-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin A. P., do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. P. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu